Koeman edhe më keq se Rijkaard, start i dobët i Barcelonës

Asgjë nuk po shkon mirë për Ronald Koeman në muajt e parë te Barcelona.

Trajneri holandez kundër Juventusit zhvilloi ndeshjen e 16-të në stolin e Barcelonës, ku u mposhtë 0-3 në ‘Camp Nou’, duke pësuar humbjen e pestë këtë sezon.

Koeman, që është në krye të Barcelonës që 16 ndeshje, ka treguar fillimin më të dobët që nga koha e bashkatdhetarit të tij Frank Rijkaard, 17 vite me parë kur filloi me Barçën në 2003/04, atëherë kur edhe nisi të lulëzojë Barcelona që deri më sot ka fituar mbi 30 trofe në këtë kohë të shkurtër.

Rijkaard kishte fituar vetëm tetë nga 16 ndeshjet e tij të para, ai barazoi pesë herë dhe humbi tre ndeshje për dallim nga Koeman, i cili ka fituar nëntë ndeshje ka humbur pesë dhe ka barazuar dy herë, raporton Gazeta Express.

Luis Enrique dhe Quique Setien kishin humbur vetëm tre ndeshje në 16 takimet e para, ndërsa Pep Guardiola, Ernesto Valverde dhe Tito Vilanova pësuan dy humbje, ndërsa i vetmi që në 16 ndeshjet e para në stolin e Barcelonë doli i pamposhtur është Tata Martino, me të cilin Barça nuk fitoi asnjë trofe në vitin 2014.

Rezultatet e deritanishme e lënë Koeman nën presion, dhe ndeshjet e ardhshme do të jenë një provë për ekipin e tij, që është në krizë të rezultateve në La Liga me Lionel Messin të lënduar pasi nuk u lejua të largohet nga Barcelona dhe edhe ai po kalon sezonin më të dobët në karrierë, pasi ka shënuar vetëm 7 gola në 14 ndeshje.

Tashmë zërat vazhdojnë të rriten se i ka ardhur fundi ciklit të tij në Barcelonë – City dhe PSG e duan lojtarin.