Koalicioni i ri, në shtrat me Mickon dhe Apasievin!

Shkruan: Medai Shaholli

A duhet të gëzohen shqiptarët se do të kemi shumicë parlamentare ( ashtu siç u kumtua mbrëmë në rrjetet sociale nga opozita) dhe një qeveri të re në krye me komitët e VMRO-së dhe ‘Levicën’, të ndjekur nga pseudonacionalistët e ASH-së dhe dyshes kripto ekstremiste fetare si Besa dhe AAA apo do të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre zhvillimeve?

Ky ishte lajmi i përhapur i mbrëmjes së djeshme se opozita shqiptare dhe ajo sllavo-maqedone arritën ujdi mes tyre për ta rrëzuar shumicën e brishtë pasi thanë se paskëshin arritur numrat 61!

‘Në shtrat me armikun’, ky duket se do jetë koalicioni i ri i opozitës.
Partitë shqiptare (Besa ASH -AAA) që më parë kishin qëndrime të forta refuzuese bashkëpunimi me VMRO-në e Mickos dhe ‘Levicën’ e antishqiptarit të përbetuar Apasiev, harruan mëritë dhe qëndrimet e tyre ‘patriotike’ dhe u shfaqën mbrëmë së bashku në një tavolinë duke deklaruar se kanë arritur 61 deputetë në bllokun opozitar, për ta rrëzuar qeverinë e ‘pakicës’ së kryeministrit të dorëhequr Zaev.

Nëse i besojmë këtij lajmi të arritjes së numrave 61 nga opozita, ahere mund të konstatojmë se besatarët e Kasamit e kanë prerë në besë kryeministrin e dorëhequr Zaev, për shkak të orekseve të babëzitura të ndonjë hoxhe a ndonjë imami që mezi kanë pritur këtë plasaritje të koalicionit për t’i dhënë dërrmën e fundit atij dhe t’i bashkohet komitëve të Mickos dhe ‘Levicës’ antishqiptarit Apasiev.

Të mos harrojmë se tre deputetët aktual të ‘Besës’ janë zgjedhur nga socialdemokratët e Zajkos dhe se pa votat e tyre sot Besa e Kasamit do ishte endur nëpër rrugët e plurosura të Llërcës.
Një fjalë e urtë popullore thotë: ‘Tërhiqja qenit veshin sa është i vogël se kur të rritet të hanë’! Kështu janë rritur në mendje edhe ca ‘shfalerka’ të përdala sot që po e ‘flakin’ të dashurin e vjetër për një të dashur të ri në momentin që ai bie nga pushteti.

T’i bashkosh numrat me komitët e VMRO-së dhe ‘Levicën’ e Apasievit që deri dje i kanë sharë për antishqiptarë do të thotë se partitë shqiptare të këtij koalicioni të ri që thonë se po krijohet, do të thotë ta hash turpin me bukë.
‘Armiku’ i djeshëm u bë ‘dashnor’ i sotëm!

Ata të tria i bashkuan forcat për hir të pushtetit dhe jo në emër të çlirimit siç thonë nga qeverisja e keqe e klanit SDSM-DUI, me ç’rast partiçkat tona të këtij rreshtimi të ri pranuan të bëhen prostituta dhe të futen në ‘shtratin’ e Mickos dhe të Apasievit nga dalldisja dhe makutëria për më shumë para.

Ky konstatim nuk është qëndrim prokoalicionit SDSM-DUI dhe sharlatanit Zajko por përkundrazi, është sfidues ndaj tij dhe atyre duke qënë gjithmonë kritik i pakompromis dhe se ky qëndrim është parimor.
Në këtë rast besprerët e ‘Besës’ duket që nuk po e mbajnë ‘besën’ jo vetëm me Zajkon që i ngriti nga ‘hiçi i bëri faktor’ duke kërcnuar sot qeverinë e tij, por edhe ndaj shqiptarëve kur premtuan se do ta realizojnë grafën për etninë në letërnjoftimet.

Për çfarë do të gëzohen shqiptarët me një qeveri që do të ndryshojë vetëm dekori por që në rrënjët e saj qëndron me fanatizëm ruajtja e supremacisë mbi pushtetin dhe shtetin, ku partiçkat tona do jenë vetëm dekori i qeverisë që do të përfitojnë nga kockat e mbeturinave që qeveria do të shpërndaj për servilët e oborrit të saj?

Për çfarë do gëzohen shqiptarët me një qeveri të udhëhequr nga një parti nacionalshovene ndaj shqiptarëve të dëshmuar ndër vite për masa ndëshkuese mbi shqiptarët përmes aksioneve ushtarako-policore vetëm pse kërkonin më shumë ë drejta?
Historia nuk harron ajo shënon edhe ekspeditat policore të SDSM-së ndaj insitucioneve arsimore dhe të kulturës shqiptare gjatë pushtetit despotik të saj në të kaluarën.

Çfarë ndryshon nëse ikën dojuzi e vjen domuzi?