Kinë, 46 raste të reja me COVID-19

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës (NCH) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit asnjë person i infektuar me koronavirus nuk ka vdekur në vend.

Më tej thuhet se në të njëjtën periudhë janë raportuar 46 raste të reja, 34 prej të cilave janë importuar nga jashtë, ndërsa 12 raste janë regjistruar tek njerëzit brenda vendit.

Numri i të shtruarve në spitalet e Kinës është rritur në 898, 46 prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Mëngjesin e sotëm nga spitali janë liruar 76 të shëruar të tjerë ndërsa numri i rasteve të importuara është rritur në 1.534.

Sipas informatave të fundit, në Kinë gjithsej 82.341 janë prekur nga koronavirusi, 3.342 kanë vdekur dhe 77.892 janë shëruar.

Koronavirusi për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan në fund të vitit të kaluar ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), më 11 mars të këtij viti e shpalli pandemi globale.

Kina ka arritur kryesisht të frenojë përhapjen e koronavirusit ndërsa epiqendra e pandemisë është zhvendosur në Evropë dhe Amerikën Veriore.