Rusi, rritet në afro 28 mijë numri i rasteve me COVID-19

Autoritetet shëndetësore në Rusi kanë njoftuar se numri i rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri (COVID-19) në vend është rritur sot në 27.938 me 3.448 raste të reja në 24 orët e fundit.

Në Rusi është regjistruar numri më i lartë i vdekjeve në ditë, pasi 34 persona e humbën jetën në 24 orët e fundit, duke e rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 232.

Deri më tani, 2.304 persona janë shëruar nga sëmundja, përfshirë edhe 318 të shëruar në 24 orët e fundit.

Autoritetet brenda ditës kanë testuar rreth 90 mijë persona për COVID-19, ndërsa mbi 1,6 milionë banorë janë testuar deri më tani. Mbi 130 mijë persona aktualisht janë nën mbikëqyrje mjekësore.

Që nga shfaqja në Wuhan të Kinës, dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri është përhapur në mbarë botën.

Të dhënat e Universitetit amerikan “Johns Hopkins” tregojnë se mbi 2 milionë persona janë infektuar globalisht ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në mbi 137 mijë.