Kina përditëson protokollin e testimit masiv për të përballuar më mirë variantin Delta

Kina ka përditësuar protokollin e saj mbi testimin masiv për t’iu përgjigjur më mirë ringjalljes së mundshme të Covid 19 të shkaktuar nga varianti shumë i transmetueshëm Delta, bën të ditur “Xinhua”.

Sipas protokollit të përditësuar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit, testimi masiv i acidit nukleik në një qytet me më shumë se 5 milionë njerëz duhet të përfundojë brenda tri ditëve.

Afati kohor u caktua në tri deri në pesë ditë për qytetet me të njëjtën madhësi në versionin e mëparshëm të protokollit të prezantuar në shkurt të këtij viti.

Për qytetet me më pak se 5 milionë njerëz, afati kohor për përfundimin e testimit në të gjithë qytetin mbetet i pandryshuar në dy ditë.

Kur është e nevojshme, qytetet me një popullsi prej më shumë se 5 milionë mund të aplikojnë për ndihmë kombëtare për të përfunduar testimin brenda kornizës kohore, sipas protokollit të përditësuar.

Përditësimi synon të rrisë më tej aftësinë e Kinës për të organizuar dhe zbatuar testimin masiv të popullsisë dhe për të parë që vendi mund të përballojë në mënyrë efektive çdo ringjallje të mundshme të Covid 19 të shkaktuar nga varianti Delta. (Elona)