Kina do të rritë më tej kapacitetin e transportit ajror të mallrave për të stabilizuar zinxhirët e furnizimit

Kina do të ndërmarrë masa të tjera për të forcuar kapacitetin e transportit ajror ndërkombëtar të mallrave, për të stabilizuar zinxhirët e furnizimit, u vendos të martën në një mbledhje ekzekutive të Këshillit të Shtetit të kryesuar nga kryeministri Li Keqiang.

Kreu i qeverisë kineze theksoi se duhet të përshpejtohet zhvillimi i një sistemi ndërkombëtar të logjistikës dhe shërbimeve të dërgimit, për të mbështetur funksionimin normal të zinxhirit industrial.

Teksa shërbimet e transportit ajror të udhëtarëve po kalojnë vështirësi në të gjithë botën për shkak të epidemisë, vëllimi i ngarkesave të transportuara nga aeroplanët e udhëtarëve ka rënë dhe kostot e transportit janë rritur ndjeshëm, tha Li.

Gjatë përgjigjes ndaj shpërthimit, janë ekspozuar hallkat e dobëta në kapacitetin e transportit ajror. “Duhet të lehtësojmë shërbimet e transportit ajror ndërkombëtar e vendor dhe ta mbajmë kapacitetin tonë të transportit ajror ndërkombëtar në nivelin e duhur për të shmangur goditjet e mundshme mbi zinxhirët e furnizimit dhe për të lehtësuar rifillimin e funksionimit të biznesit,” shtoi ai.

Në mbledhjen e së martës u nxit marrja e masave efektive për të rritur kapacitetin e transportit ajror ndërkombëtar të vendit dhe për të siguruar një shërbim normal dërgesash. (Çang Çuo)