Kina dhe Franca zhvillojnë dialogun e 22-të strategjik

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi bashkëkryesoi të enjten Dialogun e 22-të Strategjik Kinë-Francë me Emmanuel Bonne, këshilltar diplomatik i presidentit francez Emmanuel Macron, në Wuxi tëprovincës Jiangsu të Kinës lindore.

Të dy palët ranë dakord të vazhdojnë të promovojnë bashkëpunimin në sektorët e aviacionit, hapësirës ajrore, produkteve bujqësore dhe ushqimore, energjisë bërthamore, tregjeve të palëve të treta, si dhe në fushat e gjelbra dhe digjitale, dhe të eksplorojnë bashkëpunimin në të dhënat e mëdha dhe informatikën cloud.

Bonne vuri në dukje se pala franceze respekton frymën olimpike dhe kundërshton politizimin e sporteve, duke shtuar se sportistët francezë po presin me padurim të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit.

Nga ana e tij, kreu i diplomacisë kineze theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve Kinë-BE përputhet me interesat themelorë dhe afatgjatë të Evropës. Kina ka besuar gjithmonë se Evropa, si një forcë e pavarur, është një pjesë e rëndësishme e shumëpolarizimit.

“Kina mbështet integrimin evropian dhe zhvillimin e rritjen e BE-së, si edhe luajtjen e një roli më të madh nga BE-ja në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht nëse marrëdhëniet Kinë-BE gjenden në një periudhë të mirë apo hasin pengesa, kjo politikë nuk do të ndryshojë,” tha Wang.

Ai shprehu gjithashtu shpresën që BE-ja do të vazhdojë të ndjekë një politikë pozitive dhe praktike ndaj Kinës.

Bonne tha se Evropa do të vazhdojë t’i përmbahet pavarësisë së saj strategjike dhe se Evropa e Kina duhet të rrisin më tej besimin e ndërsjellë, të çojnë përpara bashkëpunimin dhe të vazhdojnë të jenë partnerë bashkëpunimi me standarde të larta. Pala franceze do t’i përmbahet parimit të “Një Kine”, vuri në dukje këshilltari diplomatik i presidentit francez. (Artan/Fani)