Këtë javë pritet emërimi i drejtorëve nga Alternativa

Marrëveshja mes kryeministrit Zoran Zaev dhe Alternativës pritet të fillojë të zbatohet shumë shpejt në periudhën në vazhdim. Siç bëjnë me dije nga partitë, brenda kësaj jave do të emërohen të gjithë drejtorët në drejtoritë nën kompetencë të Qeverisë, të cilat sipas marrëveshjes për koalicion i takojnë Alternativës. Drejtorët emërohen me vendim të Qeverisë. Alternativa do të udhëheqë me dhjetëra drejtori, mes të cilave edhe disa të rëndësishme, siç është MEPSO, Fondi Pensional, Agjencia për Investime të Huaja, ndërmarrjen për transport hekurudhor, Spitalin e Tetovës, Burgun e Idrizovës, Drejtorinë e Librave Amë dhe të tjera.

Sa i përket ministrave dhe zv/ministrave, emrat e tyre do të definohen në organet partiake të Alternativës brenda disa ditëve. Por zyrtarizimi i tyre në Kuvend do të vijë pas disa javëve. Fillimisht do të zgjidhet kryetari i ri i LSDM-së në zgjedhjet e brendshme partiake më 12 dhjetor. Kryetari i ri do të marrë edhe mandatin për formimin e Qeverisë pasi që Zaev ta zyrtarizojë dorëheqjen e paralajmëruar nga drejtimi i Qeverisë. Trashëgimtari i Zaevit i propozon Kuvendit përbërjen e re qeveritare, me të gjitha ndryshimet që ishin subjekt i marrëveshjes me Alternativën.

Përveç ministrit të shëndetësisë, ministrit të shoqërisë informatike dhe ministrit pa portofol për diasporën, Alternativa do të ketë edhe 3 zv/ministra, edhe atë në arsim, bujqësi e kulturë. /SHENJA/