Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Sinjali raporton se të dyshuarit janë Momir Jakshiq (80 vjeç) dhe Miljko Bishevac (65 vjeç).
Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, rasti lidhet me ngjarjen tragjike të 19 prillit 1999, kur një grup civilësh shqiptarë të paarmatosur, që po lëviznin në drejtim të Malit të Zi, u ndaluan në vendin e quajtur Kalludra e Vogël, në komunën e Zubin Potokut.
Sipas dyshimeve, civilët fillimisht u plaçkitën, duke iu marrë paratë dhe sendet me vlerë, e më pas 23 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa trupat u varrosën në një lokacion pranë lumit në Kalludër të Vogël.
Raportohet se më 27 korrik 2026, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës arritën të lokalizojnë vendin ku dyshohet se ndodhet varreza masive. Gjatë ekzaminimeve në terren janë gjetur mbetje eshtërore njerëzore, përfshirë pjesë të kafkës dhe fragmente të tjera skeletore, si dhe pjesë të veshjeve që dyshohet se u përkasin viktimave.
Bazuar në provat e mbledhura dhe dëshmitë e siguruara gjatë hetimit, janë identifikuar Momir Jakšić, ish-pjesëtar i Mbrojtjes Territoriale, dhe Miljko Biševac, ish-komandant i Mbrojtjes Territoriale të Komunës së Zubin Potokut, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në ndalimin, plaçkitjen, vrasjen dhe varrosjen e 23 civilëve shqiptarë të paarmatosur.
Aktualisht, lokacioni është nën sigurimin e Njësisë për Reagim të Shpejtë, ndërsa në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore pritet të zhvillohen gërmime dhe ekzaminime mjeko-ligjore.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Momir Jakšić dhe Miljko Biševac janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. Hetimet për rastin janë në vazhdim.



