Struga me strategji konkurrence kundrejt Ohrit, të gjitha kafenetë do të punojnë më gjatë

Objektet hotelierike në Strugë do të punojnë një orë më gjatë gjatë sezonit veror, ndërsa për fundjavën e ardhshme festive orari i tyre do të zgjatet me dy orë. Këtë vendim e miratoi Këshilli i Komunës me qëllim të mbështetjes së sezonit turistik dhe ekonomisë lokale, transmeton Portalb.mk.

Sipas vendimit të ri, gjatë fundjavave dhe kur organizohen manifestime publike, kafenetë dhe restorantet, në vend që të punojnë deri në orën 01:00, do të jenë të hapura deri në orën 02:00 pas mesnate.

Për fundjavën e zgjatur festive më 1, 2 dhe 3 gusht, orari i punës do të zgjatet deri në orën 03:00 pas mesnate.

Nga Komuna e Strugës informojnë se zgjatja e orarit me një orë është paraparë edhe për disa data të veçanta deri në fund të vitit, duke përfshirë edhe ditë festive në shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor.

Sipas autoriteteve lokale, qëllimi është “të mundësohet zhvillimi i papenguar i manifestimeve kulturore dhe turistike që promovojnë qytetin, duke ruajtur njëkohësisht balancën mes zhvillimit të turizmit dhe interesit të qytetarëve”.