Kërkohet vaksinimi i sportistëve kosovarë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike

Presidenti i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të sigurohen vaksinat për Covid 19 për të gjithë atletët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Tokyo 2020 që do të mbahen nga 23 korriku deri më 8 gusht 2021.

Duke folur në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi ka bërë të ditur se është në kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Shëndetësisë si dhe atë për Kulturë, Rini dhe Sport për të gjetur një zgjidhje rreth kësaj çështje sepse, siç ka thënë ai, këtë e ka kërkuar edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

“Na presin punë të mëdha siç e dimë meqenëse tash është edhe afati shumë i shkurtër deri te Lojërat Olimpike Tokyo 2020. Kemi punë shumë, kemi angazhime, shumë realizime të ndryshme edhe probleme të mëdha për shkak të pandemisë, meqenëse numri është shumë i limituar i pjesëmarrësve të stafit në Lojërat Olimpike 2020. Madje kemi marrë edhe një letër nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe janë interesuar se a i kemi kryer vaksinimet edhe sportistëve e atletëve te cilët do te marrin pjesë në Tokyo 2020, mirëpo edhe stafi i cili shkon bashkë me ta. Ne jemi në kontakt me Ministrin e Shëndetësisë edhe normal me Ministrin për Rini, Sport e Kulturë, zotëri Çeku edhe besoj që do të gjejmë një zgjidhje së bashku sepse patjetër që stafi i cili udhëton në Tokyo dhe atletët të jenë të vaksinuar me kohë që të mos kemi probleme atje sepse për një vaksin ose për një garues që mundet të dal pozitiv humbet edhe pjesëmarrja e tyre në Lojërat Olimpike që janë shumë të vlefshme për ne e në këtë rast nuk guxon të ndodhë sidomos tek ne në Kosovë”, tha Krasniqi.

Më tutje Krasniqi duke folur për KosovaPresa, ka kërkuar që kjo çështje të bëhet prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë, sapo të vijnë vaksinat tjera sepse, sipas tij, nuk është një staf shumë i madh që do të udhëtojë drejt Tokyos dhe të mos ketë probleme për shkak të kësaj çështje.
“Ne e dimë që ka shumë pak vaksina për momentin dhe shpresoj që do të vijnë edhe vaksina të reja. Mirëpo ne nuk jemi shumë staf i madh që të vaksionohemi, besoj që do të ketë prioritet meqenëse do të shkojmë në Tokyo 2020, së paku mos të kemi këtë problem sa i përket vaksinimit. Mirëpo unë kisha propozuar dhe besoj që në takim me Ministrin për Shëndetësi por edhe Ministrin për Sport do të diskutojmë që të vaksinohen edhe atletë tjerë që kanë synimin e normës olimpike, por edhe ata atletë të tjerë të cilët marrin pjesë nëpër organizime të ndryshme, kampionate evropiane ose botërore, sepse ata udhëtojnë dhe të jenë të paktën të lirë nga ky problem”, deklaroi Krasniqi.

Sa i përket punës së tij si kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, Krasniqi tha se së shpejti do të fillojë t’i takojë të gjitha federatat e Kosovës një nga një dhe se do të ofrohet mbështetje edhe më e madhe për secilën prej tyre.

“Do të merremi me secilën federatë dhe do të shqyrtojmë të gjitha problemet e tyre së bashku me ta. Do t’i thërrasim federatë për federatë në KOK. Do të diskutojmë me secilën prej tyre dhe shumë ngusht do të punojmë me ta në lidhje me problemet qe i kanë. Federatat nuk janë në gjendje të keqe, por ka nevojë për një mbështetje edhe më të madhe. Është punuar para meje edhe do të punohet edhe më shumë me mua”, tha Krasniqi.

Kryetari i KOK-ut po ashtu bëri të ditur se në Lojërat Olimpike Tokyo 2020, Kosova pritet të përfaqësohet nga 12 sportistë.

“Ne presim dikun deri në 12 sportistë të marrin pjesë në Lojëra Olimpike sepse janë shume afër normave olimpike, por këtu është edhe më shumë pyetje edhe puna e tyre, përkrahja jonë mirëpo edhe në fund fati nëpër garat e tyre, që do t’i sfidojmë tani veten nëpër këto gara deri në qershor”, theksoi në fund Krasniqi.
Deri më tani, sportistët të cilët e kanë siguruar përmes garave pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Tokyo 2020 janë: Egzon Shala (mundje), Majlinda Kelmendi (xhudo), Distria Krasniqi (xhudo), Nora Gjakova (xhudo), Loriana Kuka (xhudo), Akil Gjakova (xhudo).