Kthimi i dhimbshëm në shtëpi.
Fjala nostalgji, si dhe shumë të tjera, ka mbërri tek ne prej Athinës antike. Përbëhet prej fjalës nostos (‘kthim në shtëpi’), dhe algos (‘dhimbje’).
Udha mbrapa për shtëpi, qoftë ajo shtëpi reale, apo e projektuar dhe e imagjinuar (e tillë është rruga për Parajsë, te ajo votra origjinale e Njeriut, sipas librave të shenjtë), është e gjatë, e rëndë, e mundimshme, me rëniet dhe ngritjet e saja, kur dihet se largimi prej saj ka ndodhë dhunshëm, pa dëshirë, pa vullnet, dhe nëse për një kohë të gjatë kemi jetuar gjetiu, larg vendlindjes dhe shtëpisë. Si të huaj.
Nuk dihet, në të vërtetë, a kthehemi njëmend ndonjëherë në shtëpi. Apo, ajo ka ndryshuar aq shumë në ndërkohë, saqë nuk i përgjigjet më atyre pamjeve tona të përmalluara. Ose, ne në fakt kurrë nuk kemi gjallëruar në shtëpi. Vetëm kemi parë ëndrra se jemi aty.
Zatën, malli i madh ndërton shtëpinë e ëndrrave. Teksa më në fund, ndodhë përballja, a thënë më mirë, përplasja me realitetin.
Rrugëtimi i Uliksit për në Itakë, zgjatë dhjetë vjet. Dhe ai kryhet sa herë dikush, diku, e lexon veprën e Homerit.
Dhjetë vjet luftë për pushtimin e Trojës, dhjetë vjet rrugë për çlirimin e vetvetes (nga ky pushtim, i kryer me dinakërinë e tij), për të mbërri në Itakë, te familja, te shtëpia, te një jetë fare të zakonshme.
Mojsiu me gjithë një popull mbrapa, bredhi poshtë e përpjetë nëpër shkretëtirë për 40 vjet të tëra, për të mbërri në Canaan, në Tokën e shenjtë, në shtëpinë për një popull, të premtuar nga Zoti.
Caku u arrit për popullin, por jo për te. Ai vdiq para hyrjes në Cannan.
Edhe këtu, në këtë rast, kemi të bëjmë me një udhëtim të gjatë, dhe për kthimin në shtëpi.
Ndërsa bëhet fjalë për një këngë, e jo për një njeri, dhe as për një popull.
Kënga ‘Now and Then’ u publikua me 2 nëntor të këtij viti. Ajo rrugëtoi 46 vjet të plota. Prej vitit 1977, kur John Lennon e kompozoi dhe e këndoi duke luajtur në piano, deri në nëntorin e vitit 2023, kur Paul McCartney dhe Ringo Starr, me producent Giles Martin (të birin e George Martin, producentin e famshëm të The Beatles), e inçizuan dhe e publikuan.
Kthimi në shtëpi i kësaj kënge të Lennonit, natyrisht, njeh The Beatles si adresë të njëmendtë.
John Lennon, i vdekur që nga viti 1980 (kur u vra para vendit ku jetonte, në një hotel në New York), George Harrison, i cili vdiq në vitin 2001, u ringjallën në këtë këngë të The Beatles, teksa falë AI (Inteligjencës artificiale), ata madje luajnë me instrumentet e tyre në video spotin e këngës ‘Now and then’.
U tha që kjo është kënga e fundit dhe finale e The Beatles.
Në një Qytetërim (si ky i Perëndimit), që ka dy mijë vjet që merret me fundin e tij apokaliptik, i cili duhet të jetë në të vërtetë një fillim absolut për kthimin në shtëpinë përrallore që është Parajsë, zbarkimi (nëse mund të thuhet ashtu), i këngës ‘Now and Then’, në të vërtetë i përngjet një meteori që ka ra në Tokë nga Qielli, si një trup i huaj nga Gjithësia.
Asgjë të përbashkët me këtë kohë dhe me këtë vend (Rruzull tokësor), nuk ka kënga ‘Now and Then’ e dyshes Lennon – McCartney, më kreativës dhe më mbresëlënëses në historinë e Rock muzikës.
Një çorodi e madhe që nisi para disa viteve me një virus, është veshur me ‘kostume’ të përgjakshme, teksa si Soundtrack të vetin ka britmën, ofshamën, mllefin dhe lemerinë.
Për shumë shkaqe, prandaj, reagimi i parë (dhe më kryesori), i njohësve të muzikës, por edhe i të gjithë atyre që e duan muzikën (që nuk është zhurmë dhe llomotitje), pas dëgjimit të këngës ‘Now and Then’, ishte pikërisht nostalgjia dhe përmallimi: Për një kohë, për një Botë, për një muzikë që nuk është më. Për një shtëpi që është bërë rrënojë në ndërkohë, e mbuluar me bari dhe me therra.
E tëra kjo dukuri po e përcjell këngën ‘Now and Then’ të The Beatles, edhe pse ajo, realisht, është larg atyre kompozimeve nga periudha e kulminacionit të kreativitetit dhe të popullaritetit të katërshes së magjishme nga Liverpooli.
Në të vërtetë, ‘Now and Then’ graviton shumë më tepër kah epoka post-Beatles e John Lennon-it dhe Paul McCartney-it, kur te dytë (nuk duhet harruar këtu edhe George Harrison-in), përpiqeshin në të gjitha mënyrat disi të braktisnin tingullin e The Beatles.
Të tilla janë edhe dy këngët e tjera të trashëgimisë së Lennon-it, ‘Free as Bird’ dhe ‘Real Love’, të cilat u gjetën në Antologjinë e The Beatles, të edituar në vitin 1995.
Me këtë Antologji do të ndodhte ai ri-bashkimi i The Beatles, por vetëm me qëllim të publikimit të saj. The Beatles pa John Lennon nuk mund të ketë. Teksa e madhërishmja tjetër e The Beatles është që ata kurrë më nuk u bënë bashkë, në një ‘program’ të llojit The Beatles 2.0’.
Edhe për këtë shkak, këta janë të pakrahasueshëm dhe të paharrueshëm.
Si të tillë, ata janë si titulli i kësaj këngë, ‘Now and Then’, apo të përhershëm. Të amshueshëm.
The Beatles janë njëra prej atyre shtëpive të rralla ku mund të kthehemi. Me muzikë.