Rënie e mbështetjes për anëtarësimin në BE, nga 90%, tani është 65%

Vonesa në procesin e integrimit evropian padyshim ndikon në rënien e mbështetjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian, thotë Këshilltari Shtetëror për Çështje Evropiane, Dragan Tilev. Ai thotë se nëse në të kaluarën mbështetja për BE-në, ishte mbi 90%, tani ky numër ka rënë në rreth 65%. Sipas Tilev, qytetarët janë të vetëdijshëm se opsioni optimal për vendin është të vazhdojë në rrugën e integrimit evropian. Por kjo rrugë, shton ai, varet nga reformat veçanërisht në gjyqësor, si dhe nga aktorët politikë për shkak të ndryshimeve kushtetuese, për të cilat është i nevojshëm konsensusi.

“Nga njëra anë, duhet të konkludojmë se është i nevojshëm një konsensus ose një konsensus më i gjerë që kjo të ndodhë. Nga ana tjetër, konsensusi është i domosdoshëm edhe për vazhdimin e reformave, sepse pavarësisht se çfarë ndodh deri në fund të vitit, pra nëse procesi i ndryshimit të Kushtetutës do të vazhdojë, reformat do të duhet të vazhdojnë, sepse reformat as deri tani, as më tej nuk varen vetëm nga ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Dragan Tilev – Këshilltar Shtetëror për Çështje Evropiane.

I pyetur nëse mosmarrja e rekomandimit për mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare, ndërmjet Shkupit dhe Brukselit në Samitin e ardhshëm të BE-së mund të shihet si një dështim, Tilev u përgjigj se situata në rastin e Maqedonisë ishte shumë e qartë. Domethënë, Konferenca e Dytë varet vetëm nga ndryshimet kushtetuese. Kjo është shkruar edhe në konkluzionet e vitit të kaluar kur u pranua propozimi francez. Megjithatë, në këtë Samit, priten vendime për rritje të numrit të vendeve që fillojnë negociatat e anëtarësimit.

“Këtë herë, nuk do të shqyrtohen vetëm raportet nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe raportet për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, ku tashmë për Ukrainën dhe Moldavinë paralajmërohet fillim i negociatave për aderim. Ky është një lajm i mirë për të gjithë, sepse sa më i madh të jetë ai grup, aq më shumë tërheq vëmendjen e vetë anëtarëve të BE-së, dhe aq më i madh është presioni ndaj BE-së për të vazhduar procesin e zgjerimit”, tha Dragan Tilev – Këshilltar Shtetëror për Çështje Evropiane.

Me kusht që palët në vend të bien dakord të ndryshojnë Kushtetutën duke futur bullgarët, atëherë për të hapur grupin e parë “Bazat”, Shkupi do të duhet të përgatisë Udhërrëfyesit për reforma në administratë dhe për sundimin e ligjit. /Alsat.mk