Kelmendi: Kosova ta shfrytëzojë interesimin e Perëndimit për ujdinë finale me Serbinë (VIDEO)

Gazetari Adriatik Kelmendi ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për marrëveshjen finale me Serbinë.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka shtuar se nuk dihet se kur do të ketë një momentum më të favorshëm për Kosovën.

“Miroslav Lajçak nuk e tha drejtpërdrejt se nuk do të preket Kushtetuta e Kosovës , por ai tha nuk kemi hyrë te pakoja e Ahtisaarit. Por, në anën tjetër garancitë që mund të jepen, pra Lajçak mund të shpresojë se do të vlejnë, por nuk varët gjithçka nga ai”.

“Pra, ne e kemi edhe mbështetjen që po e shohim nga shtetet e BE-së dhe ShBA-së. Ideja është se si të përfitojmë maksimumin nga kjo që nuk do të jetë hapi final me Serbinë”.

Sipas Kelmendit, me këtë vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar, Serbisë i bëhet e qartë se më nuk mund të pretendojë ta përfaqësojë Kosovën në organizata ndërkombëtare dhe ta bllokojë atë sepse do të ballafaqohet drejtpërdrejt me pasoja për shkak se si garantues shihen ShBA-të dhe BE-ja”.

“Ne duhet shikuar tash se si ta kapitalizojmë në të mirën tonë këtë momentum që po na ofrohet sepse nuk mund të parashohim që në një rrethanë të re, diçka më ndryshe, diçka më e favorshme për ne mund të ndodhë”.

“Edhe në ShBA nuk e dimë se kur fillon cikli zgjedhor atje – se sa do të jetë vëmendja te Kosova dhe sa do të jetë një administratë e re e përkushtuar që të gjejë një zgjidhje për ketë pjesë të botës”.