Kultura s’njeh parti

“Si u bë që mjetet e qeverisë së Kosovës dedikuar për promovimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kulturës në këtë pjesë të hapësirës shqiptare, të përfundojnë në duart e një partied he ato t’u shpërndahen kryesisht njerëzve të afërt të kësaj partie”

 Në fund të muajit tetor të vitit të kaluar, u nënshkrua një memorandum ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Nacional Shqiptar në Luginën e Preshevës, gjegjësisht me kryetarin e KNSH, z. Ragmi Mustafi, që vjen nga radhët e subjektit politik, PVD (Partia për Veprim Dekomratik).

Ky Memorandum Bashkëpunimi ka për qëllim përkrahjen financiare për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, ruajtjen, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginë të Preshevës.

Mjetet e dedikuara u vendos që t’i kalojnë Këshillit Nacional Shqiptar, ku kjo e fundit do të shpallë konkursin publik, ku në komisionin vlerësues do të jenë anëtarë nga qeveria e Kosovës dhe një nga subjekti politik i PVD-së, të paktën kështu deklarativisht dhe oficialisht, mirëpo, siç u pa, Kosova ia kishte lënë të gjitha vlerësimet në dorë PVD-së.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, organizata jo qeveritare, nisma të ndryshme të grupeve të interesit, artistë, shkrimtarë, dhe njerëz të fushës së kulturës, ia mësyen konkursit publik, t’i mbushin formularët dhe të shkruajnë projektet e tyre, me shpresë që mund të pranohen dhe të gëzojnë të drejtën e tyre për të zhvilluar mendimet, projektet dhe aktivitetet e tyre, dhe të përfitojnë financiarisht nga ky donacion dhe të realizojnë qëllimet e tyre në akordancë me kërkesat e qeverisë së Kosovës.

Deri këtu gjithçka shkoi vaj, edhe pse disa konkurentë kishin dyshimet e tyre, sepse ishte edhe periudha e zgjedhjeve të Këshillit Nacional në Serbi, dhe se qysh nga këtu u vërejt keqpërdorimi i PVD-së, është fjala për konkurentët që s’kishin librezat partiake dhe simpatinë e partisë, por shpresën e zgjatën deri në ditën e shpalljes së përfituesve të këtyre granteve. Sapo u shpall lista e përfituesve, u kuptua që avazi i vjetër i PVD-së, normalisht ka vazhduar, ku janë vërtetuar se në listën e përfituesve ka emra militantësh dhe OJQ që janë të lidhur direkt me subjektin politik PVD, madje kishte përfitues ordiner edhe nga radhët e PDSH, sepse edhe kjo parti është në krye të KNSH.

Detajet me emra dhe mbiemra nuk dua t’i rendisë këtu, sepse këtë gjë tashmë e kanë bërë në shumë portale dhe rrjete sociale shumë reagues të mëparshëm, vlen të përmendet aktivisti i shoqërisë civile nga Presheva, z. Valon Arifi ku ka nxjerrë dëshmi për këto padrejtësi.

Edhe parti politike tjera dhe shumë OJQ të pakënaqur nga kjo zallamahi, dhe ky krim financiar i parasë publike, i taksapaguesve kosovarë kanë reaguar dhe janë ankuar, madje së fundi kanë dalur me një listë të përbashkët që iu janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, me kërkesë dhe ankesë të hapur publike.

Ata kanë renditur faktet dhe argumentet, kanë përmendur x shoqata që janë regjistruar një ditë para se të del konkursi, njerëz të afërt (militantë) të këshilltares politike të kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës – Ardita Sinanit dhe subjektit që ajo përfaqëson, njerëz që asgjë prej gjëje s’kanë bërë në aspektin qytetar publik, sepse në provincë njihen njerëzit dhe dihet aktivitetet publike në gishta të duarve.

 Reagimi i menjëhershëm ishte edhe i zotëri Xhemaledin Salihu, duke postuar në murin e tij në facebook:

“Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nuk përfitoi asnjë cent nga konkursi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve. Sigurisht e kanë pasur parasysh aktivitetin e saj të bollshëm e të shumtë në lëvrimin e trashëgimisë kulturore. Poashtu sigurisht duan të na mbyllin gojën dhe aktivitetin e saj sepse po zhvillon veprimtari dhe aktivitet kombëtar”.

Më tej ai vazhdoi të rendis disa nga arsyetimet dhe denoncimet e tij kundrejt KNSH:

“Brenda granteve ka edhe kritere të posaçme që nuk janë përfillë nga Komisioni. Nga Lista e Përfituesve vërtetojmë se janë anashkaluar kriteret dhe shumicës së përfituesve iu kanë ndarë shuma prej 5.000 deri 25.000 euro që nuk qëndrojnë dhe nuk janë shpallur me konkurs.”

Gjithashtu ai shtoi se: “Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore në Preshevë i propozuan t’i ankohet Komisionit të konkursit të Këshillit Nacional Shqiptar. Në çka të ankohet ajo kur nuk ka marrë vendim me arsyetim se për çfarë arsyeje është refuzuar një projekt i shkëlqyeshëm i saj. Unë i di arsyet? Por më duhet dokumenti i vendimit, me arsyetim.”

Edhe gazetari dhe publicisti i mirënjohur z. Skender Latifi nga Presheva, që jeton në Belgjikë, mirëpo angazhimi i tij akoma frymon për Luginën e Preshevës, gjë që e ka dëshmuar me vepra të ndryshme, si historike poashtu edhe letrare kohët e fundit, në sferën e përkthimeve, edhe ai është shprehur i indinjuar nga refuzimi i projektit të tij me karakter shumë dobiprurës për historinë, kulturën dhe traditën shqiptare të Luginës së Preshevës. Ndër të tjerash ai thotë:

 “Qëllimi i fillimit të botimit të Vjetarit ka qenë i natyrës së ndriçimit të së kaluarës, të tanishmes dhe në përgjithësi të kontekstit të Luginës së Preshevës. Pra, vjetari apo revista është paramenduar të jetë gjithëpërfshirëse por e koncetruar vetëm në trevat shqiptare që aktualisht janë në Serbi. Temat e trajtuara do t’i përfshinin të gjitha periudhat historike nëpër të cilat ka gjurmë në çfardo fushë të zhvilimit jetësor, ekonomik por edhe politik të Luginës së Preshevës. Në veçanti kemi planifikuar që në rubrikën “Retrospektivë” t’i ribotojmë të përkthyera materailet e autorëve joshqiptar me qëllim të rishqyrtimit dhe ndriçimit të anës së vërtetë të këtyre shkrimeve. Por, qëllimi final ka qenë përjetësimi i revistës apo vjetarit i cili do të krijonte traditë disavjeçare të botimit, identike me shumë revista apo vjetare në Ballkanin Perëndimor”.

Gjithashtu edhe profesori Fitim Nuhiu nga Presheva, ka reaguar me një shkrim ku ka renditur arsyetimet e tij shumë argumentuese për këto padrejtësi dhe anshmëri partiake dhe kushdo që ka qenë konkurent i paanshëm, pavarësisht projektit serioz që ka mbartur, ai është refuzuar me automatizëm. Ai kishte konkuruar për një shtëpi botuese me një staf fillimisht modest, e para e kësaj natyre, që do të kontribuonte për botimet e autorëve vendas si edhe gjëra të kësaj natyre dhe që më pas të jetë shpërndarës i vlerave dhe karakteristikave të luginasve, gjë që do të ishte shumë dinjitoze dhe që do të përmbushte një zbrazëtirë në mozaikun e ndryshme të botimeve mbarëshqiptare. Ai fton kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti që të reflektojë, që të heton kanalet e tij aktuale të bashkëpunimit, t’i heq qafe dhe të gjej kanale më serioze dhe më të denja, sepse hedh akuza direkte kundër PVD-së dhe keqpërdorimet e saj që i ka bërë gjatë jetës dhe aktivitetit të saj politik në Luginë.

Si përfundim, nga e gjithë kjo mund të konstatojmë se kur vie fjala te kultura, ajo s’duhet të ketë ngjyra partiake, prandaj duhet hartuar platforma dhe strategji mbarëkombëtare për kulturën, artin dhe vlerat kombëtare shqiptare, e që mos të përfundojmë, që mjetet e kulturës t’iu dedikohen vetëm klubeve të fitnesit e karatesë, etj e të refuzohen projektet vitale që do të mbajnë shtyllën e një kombi të tërë, e ajo është bota e letrave dhe bota e kulturës së mirëfilltë. (Sh. H.)

 

Revista elektronike mbarëkombëtare për kulturë “Hejza”, 20 janar, 2023