Katastrofa ekologjike në Llojan, arseni e antimoni vazhdojnë të helmojnë banorët

Katastrofa ekologjike në fshatin Llojan vazhdon të mbetet si një nga pikat më kritike që përbën rrezik për shëndetin e banorëve të kësaj zone. Bëhet fjalë për deponinë mes fshatrave Vaksincë e Llojan e mbushur përplot me arsen dhe antimon, komponenta kancerogjene të cilat dëmtojnë ujin për pije, tokat pjellore dhe ajrin. Jo më larg se 100 metra madje ndodhet edhe Shkolla fillore “Rilindja”. Qeveria së fundmi ka miratuar vendimin për shpallje të re për përzgjedhje të një koncesioneri të ri i cili duhet të realizojë pastrimin e deponisë.

“Tash për tash është në kompetenca të Ministrisë së Energjetikës dhe atje rrjedhin procedurat e pastrimit të së njëjtës, përkatësisht zgjedhjen e koncesionerit e cila do të bëjë pastrimin e kësaj pike të nxehtë. Nëse dështon dhe konstatohet se e njëjta bëhet fjalë për mbetje dhe kalon në kompetenca të Ministrisë së Ambientit ne do të ndërmarrim të gjitha masat konkrete”, deklaroi Muhamet Hoxha, ministër i Ambientit Jetësor.

Koncesioni i fundit që ishte fituar ka qenë e kompanisë “Kaltun Madenxhilik” në vitin 2014. Ishte dakorduar që e njëjta të mbledhë antimon dhe të gjithë deponinë me arsen ta bartë jashtë shtetit. Megjithatë, para se të shlyejë marrëveshjen në vitin 2022, kishte arritur të pastrojë vetëm 60 nga gjithsej 15 mijë ton. Tani Qeveria do të ngritë procedurë të re për eksploatim dhe trajtim të materieve minerale. Ministria ka formuar komision për koncesion i cili do të definojë rregullat, kontrollet dhe obligimet e operatorit të ardhshëm.

“Mbetjet teknogjene nga ish miniera trajtohen si burim sekondar dhe jo si barrë ekologjike. Në këtë mënyrë, paralelisht zgjidhen sfidat mjedisore të trashëguara prej dekadash dhe krijohen kushte për shfrytëzim të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të materialeve ekzistuese”, shprehen nga Ministria e Energjetikës.

Deponia është mbyllur në vitin 1979 dhe është një nga 16 pikat e nxehta ekologjike në vend. /Alsat.mk