Kasami: Me Gashin, sot hodhëm hapin e parë drejt bashkimit të opozitë shqiptare‼ (Video)

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pas firmosjes së deklaratës politike për bashkëpunim, ka thënë se ky është hapi i parë drejt bashkimit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në një prononcim për gazetën LAJM, Kasami bëri të ditur se qëllimi i unifikimit të opozitës është që në zgjedhjet e ardhshme, të ndodh rotacioni politik edhe te shqiptarët.

“Bëhet fjalë për hapin e parë që e bëmë në drejtim të bashkimit të forcave opozitare që e kanë pritur gjatë kohë votuesit opozitar shqiptarë. Ne sot arritëm të bëjmë hapin e parë për të ndërtuar kalanë e opozitës. Kemi komunikim me grupacionet tjera dhe me individ apo faktorë tjerë të opozitës. Pretendimi jonë është që të ndërtojmë një aleancë të fuqishme opozitare që përfundimisht do ta bëjë rotacionin politik tek shqiptarët”, tha Kasami për gazetën LAJM, ndërsa përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me BDI-në apo partitë tjera shqiptare në pushtet.