Karriera e Thiago Silvas si futbollist profesionist po shkon drejt fundit

Thiago Silva në një intervistë të dhënë së fundmi ka lënë të kuptohet se ai është shumë afër pensionimit, me kontratën e tij tek Chelsea që po shkon drejt përfundimit.

Mbrojtësi brazilian nënshkroi si lojtar i lirë për “Blutë e Londrës” në vitin 2020 si një zgjidhje afatshkurtër, por tani teksa jemi në vitin 2023, ai është ende lideri i mbrojtjes së tyre.

Kontrata e tij skadon verën e ardhshme, por 39-vjeçari duket se po shqyrton mundësinë rreth asaj nësë do të luajë deri në vitin 2024.

“Fundi i karrierës sime po afrohet dhe nuk është një gjë e thjeshtë. Duhet të mendoj nëse do të ndalem apo nëse vazhdoj ku do të shkoj. Këtu është familja, kam dy djem që luajnë tek Chelsea”, u shpreh Silva për Sky Sport Italia.

“Për momentin po përfitoj nga ky rast për të luajtur dhe për të shfrytëzuar sa më shumë këtë vit të fundit të kontratës sime me Chelsea. Por jam shumë i lumtur dhe krenar për karrierën që kam pasur, për atë që po bëj tani në moshën 39-vjeçare”.

Mes gjithë trazirave që kanë ndodhur gjatë sezoneve të fundit në “Stamford Bridge”, duke përfshirë largimin e Roman Abramovich si pronar dhe ardhjen e pasuesit të tij Todd Boehly, Silva ka qenë një nga gjërat e pakta pozitive për klubin në atë periudhë.

Benoit Badiashile, Wesley Fofana dhe Levi Colwill do të jenë në krye të mbrojtjes së Chelseat për të ardhmen e parashikueshme, por nëse ish-ylli i Paris Saint-Germain i var këpucët në fund të sezonit, ai do të jetë një humbje e madhe për klubin londinez.