Një shtetas serb dyshohet se ka tentuar të kontrabandojë 5.000 steka cigare nëpërmjet vendkalimit kufitar “Bogorodicë”, me vlerë të përgjithshme prej rreth nëntë milionë denarësh.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, pronar i një kompanie transporti në Serbi, kishte deklaruar se me kamionin e tij transportonte granula polipropileni.
Mirëpo, gjatë kontrollit doganor, në rimorkion e kamionit janë zbuluar 100 kuti kartoni me cigare të padeklaruara të markave “Marlboro”, “Davidoff” dhe “Winston”.
E gjithë sasia e cigareve është sekuestruar nga autoritetet doganore.
Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë ka iniciuar procedurë penale për veprën “Kontrabandë”, ndërsa për të dyshuarin ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.



