Kaos, skandal apo konfuzion?!

Shkruan: Dr.Meral Ferati

Krimi është krim, pa marrë parasysh kush e mbron. Krimineli është kriminel, pa marrë parasysh se çfarë posti mban. Në një shoqëri si kjo e jona, që ka kapacitet të limituar të veprimit institucional, kriminelët veprojnë pa frikë sepse e dinë që kanë fuqinë të kontrollojnë sistemin e krijuar nga njerëzit që ata vetë i kanë emëruar, e si të tillë i kontrollojnë si të duan. Kështu vepron krimineli te ne, i përkrahur nga ligji. Drejtësia di të mbyllë sytë kur e komandojnë fijet e forta nga lart.

Këtu drejtësia mund të jetë çdo gjë, por jo edhe drejtësi. Drejtësia mund të jetë sfilatë mode, mund të jetë swarovski, mund të jetë partiake, por asnjëhere drejtësi për qytetarët. Me rastin “Monstra” , disa “ të fortë” u mburrën se kanë dëshmi që qartë tregojnë se në burgje po mbahen njerëz të pafajshëm. Dhe kush ishte epilogu i këtyre rrahjeje gjoksi?- Burgim i përjetshëm për të gjithë ata që vetë politika për nevojat e saj, në një moment u dha shpresa se pafajësia mund të provohet me dëshmi. Atë që Geshkovska e tha, Fetahu e konfirmoi me fjalë të tjera. Ky lloj shfrytëzoi shqiptarët në mënyrën më të ulët të mundshme për ta konsiliduar pushtetin dhe në momentin e parë që u rehatua në kolltuqet e pushtetit, vazhdoi me avazin e njohur të paraardhësve të tyre, me politikat e shēmtuara duke i goditur shqiptarët.

Skandalet e tyre janë të pafundme. Debakli i Prokurorisë Speciale, aferat “ Reket”, vaksinat e Kinës, skandalet e tjera me shuma marramendëse, veprat penale të njëpasnjëshme të zyrtarëve të lartë e të ulët, as që kanë epilog , e as që kërkohet përgjegjësi nga dikush. Kam përshtypjen se kjo bëhet me qëllim që një skandal i ri, të shtyjë në harresë skandalin e mëparshëm. Një situatë e tillë e ka çuar sistemin në një gjendje konfuze e të çoroditur, të paaftë për të vepruar.

Nga ana tjetër qytetarët janë të stërlodhur me hallet e tyre, janë në luftë të përditëshme me skamjen, e kjo luftë i bën indiferentë ndaj gjërave të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë në dukje me ta. Edhe më keq madje. Qytetarët kanë bindjen se gjërat nuk rregullohen, se kështu ka qenë gjithnjë dhe se pushteti ka keqpërdorur çdo gjë që mund të keqpërdoret. Ofendimi që u bëhet qytetarëve në këtë rast, janë arsyetimet absurde të institucioneve që ia hedhin fajin njëri tjetrit duke krijuar konfuzion dhe kaos plotësues. Qytetarët nuk po shikojnë asnjë epilog të asnjë afere kriminele. Qytetarët po shohin se askush nuk po dënohet, prandaj zgjedhin më mirë të heshtin se t’i “prishin punët ”me të fortët e pushtetit. Teksa shteti po krijon spektakël mediatik pa rezultate gjyqësore për aferat e mëdha, po heshten krimet “ e vogla” që po behen para syve tanë.

Po harrojmë të përmendim një tjetër dukuri shqetësuese që kohët e fundit është kthyer në brengosëse. Prania e krimit dhe kriminelëve të importuar ( si të mos mjaftonit këta që ishin këtu), të cilët , edhe pse në vendet nga vijnë janë të njohur si kriminelë, këtu vazhdojnë të papenguar bizneset e tyre, duke përfituar madje edhe nga benefitet qeveritare.

Rasti i fundit është rasti me një personazh shumë kontraverz nga Mali i Zi, i cili arriti të bëhet pronar i kompanise Shik Jellak, e të ndërtojë një “qytet të tërë” brenda hapësirave që ju ndanë për kompleksin e ri në Tetovë. Një qytet të ri brenda qytetit që edhe ashtu është i stërngarkuar me probleme infrastrukturore, ku uji nuk mjafton as për kaq banesa sa janë aktualisht. Qytetarët duhet të reagojnë, duhet të përdorin të gjitha resurset legale, institucionale po edhe mjetet demokratike të pengesave fizike që të mos lejohet një krim I tillë në Tetovë.

Të mos lejojmë që disa kriminelë të brendshëm, të fshehur nën ombrellën e nje krimineli te importuar me bindje antiperendimore të deklaruara haptazi, të na e prishin qytetin tonë. Të mos lejojmë që diskutimet për aferat e mëdha, të na shkatërrojnë këtë “aferë të fshehur të vogël” m’u në mes të Tetovës. Sepse kur të ngrihet kompleksi, për çdo reagim do të jetë vonë.