Kancelari gjerman mbështet planin e BE-së për t’i përdorur asetet e ngrira ruse për financimin e Ukrainës

“Rreth 90 për qind e të ardhurave nga asetet e ngrira ruse duhet të shpenzohen për blerjen e armëve për Ukrainën”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz duke mbështetur një propozim të mëparshëm të BE-së për të përdorur asetet ruse për mbrojtjen e Ukrainës.

“Është e rëndësishme që ne gjithashtu biem dakord që këto para mund të përdoren për blerje armësh jo vetëm në BE, por në mbarë botën”, tha Scholz pas një takimi me anëtarët e qeverive të tre vendeve baltike në Riga.

Ndryshe, në mars, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, propozoi përdorimin e 90 për qind të të ardhurave nga asetet e ngrira ruse në Evropë dhe transferimin e tyre në një fond të drejtuar nga BE-ja që e financon Ukrainën, shkruan yahoonews.

Siç raportohet, rreth 70 për qind e të gjitha aseteve ruse në Perëndim mbahen në depozitimin qendror të letrave me vlerë Euroclear në Belgjikë, ku gjenden mbi 190 miliardë euro letra me vlerë dhe para të gatshme të bankës qendrore ruse.

“Gjermania dhe shtetet baltike po bëjnë presion për një zgjerim të shpejtë të prodhimit të armëve në Evropë”, tha Scholz, duke shtuar se prodhimi i municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore tashmë është rritur.

Ndërkohë, kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, tha se industria e mbrojtjes evropiane po lufton me problemet e financimit dhe pasigurinë për kapacitetin afatgjatë të prodhimit, por se ajo ishte optimiste për fabrikën e planifikuar Rheinmetall në Lituani.