Ka nisur para 10 viteve dhe ende s’ka përfunduar, për Shtëpinë e Kulturës në Mateç duhen edhe 22 milionë denarë

Projekti për ndërtimin e Qendrës së Kulturës në fshatin Mateç të Komunës së Likovës ka më shumë se 10 vjet që ka nisur, por që ende nuk ka përfunduar për të qenë plotësisht funksional.

Pjesa e objektit ku duhet të vendoset administrata ka përfunduar shumë më herët, ndërsa ka qenë i financuar nga fondet IPA të Unionit Evropian dhe Fondet me thirrje nga Ministria e Kulturës. Kreu i Komunës së Likovës, Erkan Arifi për TV21 tha se nevojiten ende fonde për ta përfunduar tërësisht, sepse deri tani është përfunduar faza e dytë, që është pjesa e karabinës.

“Na duhen edhe 22 milionë denarë në bazë të programit Zhvillimor të Komunës së Likovës të aprovuar nga këshilli komunal dhe projekti kryesor që ta përmbyllim këtë projekt dhe njëherë e përgjithmonë ta vëmë në funksion”.

Arifi theksoi se gjatë vitit 2021 Ministria e Kulturës kishte refuzuar kërkesën e komunës për të vijuar punimet. Ai shtoi se do të vazhdojnë të aplikojnë në këtë ministri por do të kërkojnë edhe Fonde tjera Evropiane për ta finalizuar këtë objekt.

“Në vitin 2021 ne si Komunë aplikuam në Ministrinë e Kulturës me atë projekt që të vazhdojmë pjesën tjetër të atij objekti, por nga Ministria nuk u pranua për arsye të situatës me Covid, mjetet ishin dedikuar për Covid situatën. Ne si Komunë si prioritet kemi që patjetër të sigurojmë mjete dhe duhet ta finalizojmë atë objekt që është filluar shumë më herët dhe mendoj që brenda këtyre dy viteve do të finalizohet ai objekt”.

Ndryshe me ndihmën e Byrosë për viset e pa zhvilluara me rreth 3 milionë denarë dhe vetëfinancim të Komunës prej 1.5 milion denarë është kryer edhe lyerja dhe vendosja e dyerve e dritareve.
Pyetëm edhe në Ministrinë e Kulturës, ndërsa nga atje a thanë se projekti nuk është në kompetencat e tyre dhe se kjo Qendër e Kulturës është me karakter lokal.