Jetojnë në Maqedoni, shkollohen në Kosovë

Elmedina, Mesuti dhe Edmondi jetojnë në lagjen Bardhi të fshatit Bllacë, janë nxënës të klasës së shtatë, tetë dhe të nëntë. Ndryshe nga shokët e tyre, ata mësojnë me prezencë fizike, mirëpo jo në Maqedoninë e Veriut, por në Kosovë, në shkollën fillore “Ilaz Thaçi” të komunës së Hanit të Elezit. Kufirin Maqedoni-Kosovë vazhdojnë ta kalojnë për çdo ditë në këmbë. Ë njëjtën gjë e kanë bërë edhe gjatë periudhës kur kufiri ishte i mbyllur për shkak të pandemisë.

“Kemi ardhur, na kanë lënë me kaluar në kufi. A ju kanë kërkuar test për virusin? Jo, nuk kanë kërkuar teste për virusin”

Në mungesë të shkollës në lagjen Bardhi, fëmijët përballen me vështirësi të ndryshme për tu arsimuar në Kosovë. Më e vështirë mbetet periudha e dimrit.

“Ne e kemi pak larg, vështirë, dimrit ftohtë është po nuk kemi çka të bëjmë”

“Prej klasës së parë deri në klasën e nëntë këtu. Ka qenë shumë e vështirë për ne sepse edhe kur ka qenë ftohte ose shi kur ka ra ne është dashur të vijmë në këmbë me vazhduar shkollën e mos me mbet mbrapa”

Përveç arsimit fillor, nxënësit e Bardhit mendojnë që edhe arsimin e mesëm ta kryejnë në Kosovë.

“Unë mendoj që më mirë këtu në Kosovë, te shkolla e mesme “Daradania” sepse për në Shkup nuk i kemi kushtet me shkuar, na vjen shumë larg. Më mirë këtu në Kosovë, jena mësuar këtu”

Ndërsa autoritetet në shtetin amë janë të shurdhra për kërkesën elementare dhe të garantuar me kushtetutë, mësimin, autoritetet në Kosovës i mirëpresin për ti arsimuar.

“Në këtë shkollë, këta fëmijë nuk kanë asnjë element që I dallon nga të tjerët edhe pse janë banor të Maqedonisë së Veriut. Momentalisht, në vitin shkollor 2020-21, gjithësjet kemi 28 nxënës të regjistruar duke filluar nga klasa përgatitore apo parafillore deri në klasë të nëntë- deklaroi Akif Shkreta, drejtor I sh.f “Ilaz Thaçi” Hani I Elezit.

Shkollimi në një shtet tjetër nuk është problem i tanishëm për banorët e Bardhit. Dekada me radhë banorët e ndjekin mësimin në Kosovë. Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj as pyetjeve të Alsat për të sqaruar se çfarë do të bëhet me fatin e këtyre fëmijëve. Ndërtimin e objektit shkollor në Bardh Qeveria dhe ministrat e arsimit e premtojnë prej vitesh./Alsat