Jetë dy dekadëshe në Maqedoni pa shtetësi

Jemi në Sopot në shtëpinë e Shaban Limanit. Ish ushtar në tre luftëra të UÇK-së, i dënuar për rastin “Sopoti”, i shpallur i pafajshëm dhe i dëmshpërblyer. Megjithatë bashkëshortja e tij nuk posedon shtetësi e për me keq gjendet në listën e personave të cilët paraqesin rrezik për shtetin.

Mirvete Limani për 20 vite jeton në Maqedoninë e Veriut, por jo si shtetase sepse referuar autoriteteve të sigurisë ajo paraqet rrezik për shtetin. E pyetur nëse ka rrezikuar shtetin ndonjëherë, zonja Limani thotë se shteti ishte i rrezikshëm ndaj saj duke i burgosur dhe dënuar bashkëshortin pa faj.

“Vështirë të jetoj pa shtetësi, se sa vite kam këtu. Më kanë thënë se jam e rrezikshme për shtetin, unë nuk jam e tillë nuk më intereson shteti. Kam punët e mia, shtëpinë time dhe fëmijët e mi. Fëmijët i dërgoja në mjek i ktheja sepse nuk kisha për të paguar sepse nuk kisha sigurim. I kam kthyer ashtu të sëmurë në shtëpi”, tha Mirvete Limani.
Bashkëshorti i saj tregon se të paktën tre herë ka aplikuar për shtetësinë e Mirvetes, por në dy herët e kaluara ka marr përgjigje negative. Për aplikimin e tretë nuk ka përgjigje prej 6 muajsh.

“Tri herë kam aplikuar për shtetësinë e gruas sime, dy herë më kanë refuzuar. Arsyeja siç e dinë të gjithë, e rrezikshme për shtetin. Kemi bë kërkesë përmes Avokatit të Popullit, por na ka thënë se për momentin është në DSK (ASK) prej 5-6 muajsh ka ngecur aty. Tani arsyen pse ka mbetur e bllokuar nuk e dimë as ne”, deklaroi Shaban Limani.

Agjencia për Siguri Kombëtare nuk kishte përgjigje ndaj kërkesave të Televizionit Alsat mbi arsyet e refuzimit të shtetësisë për zonjën Limani e cila për momentin është anëtarja e vetme në familje e cila nuk gëzon statusin shtetas./Alsat.mk