Istanbulspori i katër shqiptarëve rikthehet në Superligën e Turqisë pas 17 viteve

Ka përfunduar finalja e Play Off-it për inkuadrim në Superligën e Turqisë.

Në këtë finale ishte Bandirmaspor dhe Istanbulspor, ku takimi u zhvillua në Kocaeli Stadyumu.

Istanbulspori ka arritur fitore të madhe 1-2, fitore që i rikthen pas një kohe të gjatë në elitën e futbollit turk.

Sulmuesi turk, Ibrahim Yilmaz shënoi dy gola për Istanbulsporin në këtë takim, derisa Keny ishte realizuesi i vetëm i Bandirmaspor.

Për skuadrën nga Stambolli në këtë takim luajtën nga minuta e parë tre futbollistët shqiptarë, Eduardo Rroca nga Shqipëria, Valon Ethemi nga Maqedonia e Veriut dhe Jetmir Topalli nga Kosova.

Ndërkohë në bankën rezervë ishte Kristal Abazaj.

Të katër futbollistët shqiptarë kanë dhënë kontribut të madh këtë edicion për Instabulsporin.

Jetmir Topalli e mbylli sezonin me nëntë gola e gjashtë asistime, Valon Ethemi kontribuoi me shtatë gola e 10 asistime, derisa Eduardo Rroca realizoi pesë gola e dhuroi dy asistime.

 

I vetmi nga shqiptarët që nuk dha kontribut me gola e asistime ishte Kristal Abazaj që pati minuta më të pakta këtë sezon.

Për Istanbulsporin ky është rikthimi në elitën e futbollit turk pas 17 viteve, pasi në edicionin 2004/05 ranë nga kategoria.