Ish-këshilltari i Kurtit i zhgënjyer me qeverisjen, nuk kam pritë kaq keq

Shkëlzen Gashi, i cili ka qenë këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka kritikuar qeverisjen e tij, mungesën e ekipit dhe të programit.

Gashi ka thënë se pavarësisht problemeve me të cilat përballet Qeveria Kurti, nuk e beson se gjërat do të ishin kaq keq nëse në krye të ekzekutivit do të ishte Isa Mustafa.

“Unë mendoj se secila qeveri kish me pas problem por kjo qeveri përnime e ka pasur një fat jo të mirë për shkak të pandemisë. Secilëndo qeveri kish me qit në dy gjunjë, panemdia, pastaj kriza energjetike globale dhe kjo kriza në tregje dhe ngritja e çmimeve. Nuk e besoj që kish me qenë kaq keq sikurse në krye të qeverisë kish me qenë, ndoshta, Isa Mustafa”, tha Gashi.

Tutje, Gashi ka thënë se ai ka qenë një kritikë i madh i tij, megjithatë nëse ai do të ishte në krye të Qeverisë së Kosovës gjërat do të ishin ndryshe.

“Unë kam qenë kritik shumë i madh i tij edhe qysh e ka qeverisë Prishtinën por edhe qysh e ka qeverisur Kosovën. Mirëpo duke e parë se çka ka ndodhur pasi ai e ka dorëzuar pushtetin në Prishtinë te pasardhësi i tij dhe tu e pa se çka ka ndodhur në qeveritë e Kosovës pasi që ai është rrëzuar në Kuvendin e Kosovës, më bëjnë me besu se kishim me e pas një situatë më ndryshe”, theksoi ai.

Ish këshilltari i Kurtit ka thënë se është shumë i zhgënjyer me këtë qeverisje, të cilën e ka quajtur si qeveri praktikantësh.

“Për fat të keq unë jam shumë i zhgënjyer me këtë qeverisje qe një vit. S’e kam prit që e bëjnë kaq keq. Është edhe mungesë e përvojës. Për fat të keq po del ajo që e ka thënë LDK’ja prej fillimit, qeveri e praktikantëve. Shumica dërrmuese e këtyre njerëzve kurrë në jetën e vetë nuk kanë menaxhuar me asgjë”, tha Gashi.

“Këta janë vetëm duke administruar”, shtoi Gashi./Express