Irani kundërshton heqjen graduale të sanksioneve

Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se kundërshton idenë që sanksionet ndaj këtij vendi të shfuqizohen “hap pas hapi”.

“Qëndrimi përfundimtar i Republikës Islamike të Iranit është heqja e të gjitha sanksioneve të SHBA-së”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Saeed Khatibzadeh në një intervistë me Press TV, një medium i financuar nga shteti.

Javën e ardhshme në Vjenë pritet të mbahen bisedime për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.

Jalina Porter, një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit tha më 2 prill se bisedimet do të përqendrohen në “veprimet që Irani do të duhet të ndërmarrë në mënyrë që të kthehet në zbatimin e asaj marrëveshjeje”.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 dhe vendosi përsëri sanksione shkatërruese ekonomike ndaj Teheranit.

Irani reagoi duke zvogëluar shkallën e zbatimit të marrëveshjes, përfshirë një pasurim më të lartë të uraniumit.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të ringjallur marrëveshjen, por administrata e tij thotë se Irani së pari duhet të kthehet në angazhimet e tij që parashihen në marrëveshje.

Kreu i Organizatës për Energjinë Bërthamore të Iranit, Ali Akbar Salehi, tha më 2 prill se Teherani është optimist për negociatat në Vjenë më 6 prill.

Më parë, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price e quajti rinisjen e negociatave “një hap të mirë “.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë thënë se, tani për tani, nuk parashikojnë bisedime të drejtpërdrejta mes dy vendeve./REL