Inzaghi: Është vetëm fillimi, por këto shenja janë të shkëlqyera

Interi ka marrë një fitore të madhe para adhuruesve të vet, pasi ka mposhtur Fiorentinën me rezultat të thellë 4-0.

Ka qenë një ndeshje e shkëlqyer nga zikaltërtit të cilët dominuan nga fillimi e deri në fund të saj, përkundër që përballë kishin një skuadër të fortë si Fiorentina.

Marcus Thuram hapi serinë e golave, derisa më vonë shënuan edhe Hakan Calhanoglu dhe Lautaro Martinez që e mbylli ndeshjen me dy gola.

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve të tij në këtë duel, teksa ka deklaruar se Lautaro Martinez është një lider i madh i tyre.

“Kemi pasur tre ndeshje të shkëlqyera, djemtë punojnë mirë dhe me shpirt, për klubin dhe për tifozët. Këto janë shenja të shkëlqyera, por është vetëm fillimi”.

“Doja që Thuram të gjente golin. Jam i lumtur dhe ai bëri shumë mirë si të gjithë ata që luajtën. Jam shumë i kënaqur. Duhet theksuar se Lautaro është një lider i madh”, deklaroi Inzaghi.

Inter është në krye të tabelës së bashku me Milanin me nëntë pikë të grumbulluara pas tre ndeshjeve.