Intervista/Trajneri Jeton Beqiri analizon sezonin vjeshtor të Stuga Trim Lum

Një analizë të sezonit vjeshtor për skuadrën. 18 ndeshje, 6 fitore, 6 barazime, 6 humbje, goldallimi 18:22, 24 pikë, vendi i 6-të. Si skuadër debutuese sa jeni të kënaqur?
Beqiri: Sigurisht që deri dikun mund të jemi të kënaqur me paraqitjet dhe 24 pikët e arkëtuara në sezonin vjeshtor. Edhe pse mendoj që kemi mundur të arkëtojmë edhe disa pikë më shumë në ndeshje të veçanta, por mospërvoja dhe fati sportiv ishin kundërshtarët tonë në disa raste. Por, na gëzon fakti që ekipi gjatë rrethit të dytë kishte shume ngritje në lojë dhe rezultate.

Cilët kanë qenë ndeshjet më të mira dhe ato më të dobëtat?
Beqiri: Si ndeshjet tona më të mira do t’i veçoja fitoret ndaj Vardarit dhe Shkëndijës në Strugë, kurse si ndeshje më të dobëta humbjet ndaj Makedonija GjP në Strugë dhe Borecit në Veles.

Mbrojtja pësoi 22 gola, sulmi shënoi 18 gola. Me cilin repart jeni më i kënaqur?
Beqiri: Nuk më parapëlqen që të bëj ndarjen në mes të sulmit dhe mbrojtjes. Thjeshtë në kuptimin tim për futbollin mendoj që të gjithe duhet të mbrojnë dhe të sulmojnë si ekip. Në pranverë duhet që të përmirësohemi në të dy komponentat, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

Tani pason pushimi dimëror. Cilët janë planet e klubit për në sezonin pranverë?
Beqiri: Futbollistët që pas përfundimit të ndeshjes së fundit janë në pushim të merituar. Do të pushojnë dy javë dhe pastaj fillojnë me programin individual të cilin duhet ta kalojnë në mënyrë obligative deri në fillimin e fazës përgatitore.

A keni nevojë për përforcime në afatin kalimtarë dhe a do të përforcoheni?
Beqiri: Ne si staf, bashkë me kryesinë e klubit bëjmë planet për organizimin e një faze sa më të mirë përgatitore, që më shumë mundësi do të zhvillohet jasht vendit me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të ekipit për vazhdimin e kampionati. Jam i mendimit se nuk kemi nevojë dhe nuk do të bëjmë shumë ndryshime në skuadër, por do të synojmë që të sjellim 2-3 futbollistë cilësor që do të na ndihmojnë për arritjen e objektivave në pranverë.

Jeni edhe në çerekfinale të kupës, ku do të përballeni me Renovën? Cilët janë ambiciet e skuadrës në kupë?
Beqiri: Ne thuajse në ndeshjet e kupës zakonisht i kemi aktivizuar më shumë futbollistët që nuk kanë pasur minutazh të plotë në kampionat. Rezultati 0:0 në Strugë kundër Renovës lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në Tetovë, ku ne do ti provojmë shanset tona për kualifikim.

A është synim i klubit sigurimi i ekzistencës, apo diçka më shumë?
Beqiri: Si synim primar i ekipit tonë në vitin e parë në ligën e parë të Maqedonisë së Veriut është sigurimi i mbijetesës dhe synimi tjetër është që nëse na jepet mundësia që të plasohemi në pjesën e sipërme të tabelës ta shfrytëzojme të njëjtën.

Dhe, për fund?
Beqiri: Në fund dua të falënderoj futbollistët për angazhimin maksimal në stërvitje dhe në ndeshje, pastaj kryesinë e klubit dhe pronarët për përkrahjen e jashtëzakonshme dhe korrektësinë unike në të gjitha aspektet. Falënderim të veçant edhe për publikun e mrekullueshëm strugan të cilët në numër të madh dhe në mënyrë të civilizuar na kanë përkrahur në çdo ndeshje./Gazeta Lajm/