Intelektualët e Marrëzisë

Shkruan: Sulejman Mehazi

Intelektualët nëpër ahenge partiake, qeveritare, universitare, e popullata në zbrazje të tokave shqiptare.

Keni vënë re, sot, sa të heshtur e nuk e ngrenë zërin kundër partive shqiptare në pushtet, të gjithë ata shfrytëzuesit e jetës së mirë, të gjithë ata që ia kanë parë hajrin këtij pushtetit të prishur. Të gjithë ata që para se të vinte demokracia askund s’ishin, as shkolla të mesme s’kishin, e sot jo vetëm që kanë mbaruar fakultete, po sa me lehtësi i kanë marrë dhe titujt shkencore, ashtu rrjedhshëm pa pikë pengesash, tani punojnë këndshëm nëpër institucionet e ndryshme shtetërore e universitare, me rroga të majme e të lezetshme dhe pa një sekond sakrifice. Keni vënë re, ata kurrë nuk merren me politikën defanzive, nënçmuese, poshtëruese, kurvërore të pushtetarëve shqiptarë sepse frikohen mos t’i humbin benificionet e ëmbla që ua ka dhënë partia, po në anën tjetër keni vërejtur sa të mençur e patriotë bëhen këta intelektualët e marrëzisë për çështje të tjera dytësore e të pavlefshme ndaj kësaj situate amorfe e vdekjeprurëse. Po e dini ku është dallimi i këtyre intelektualëve të marrëzisë prej intelektualëve të Rilindjes Kombëtare? Dallimi është se ata për shkak të patriorizmit të sinqertë e të flaktë, për shkak të rreziqeve pushtetareske u larguan nga vendlindja për të vepruar lirshëm për çështjen kombëtare, kurse këta të marrëzisë rrinë afër prehërit të qeverisë; gjersa populli me të madhe shpërngulet e ikë për shkak kushteve të vështira jetësore në shtetet perëndimore. O sa mirë me qenë shqiptar, intelektualët nëpër ahenge partiake, qeveritare, universitare, e popullata në zbrazje të tokave shqiptare. Keni vërejtur sesa të zëshëm e sa dashamirës bëhen ndaj partive politike, bile më të flaktë se vet kryetarët e partive, a në anën tjetër me qindra mijëra, thuajse një milion shqiptarë për shkak të politikës shkatërruese kombëtare janë larguar nëpër shtetet e ndryshme perëndimore, situatë është shumë më e trishtueshme se e shqiptarëve të ikur në Turqi dhe gjatë ish-jugosllavisë komuniste. Keni vënë re sa të zëshëm janë ndaj gjërave të kota e sekondare e sa dinakë ndaj problemeve madhore, në vend që ta ngrenë zërin për situatën politike katastrofike ata heshtin sikur s’shohin kurrgjë. Në vend që ta kritikojnë politikën amatoreske shqiptare, merren me kritika të kota historike lapidaresh, putash, fetare, serbe, turke, greke. Qesharake. Intelektualët e marrëzisë jo vetëm që gjenden kudo, po edhe janë kryesor në çdo institucione ekonomike, shëndetësore, juridike, universitare, akademike shtetërore. Lum ne shqiptarët me këta intelektualët e marrë të partive qeveritare.