Ademi: S’ka vendim se si do të zhvillohet mësimi

Shkup, 12 gusht – Ende nuk ka vendim përfundimtar se si do të organizohet mësimi në vitin shkollor 2020/2021. Vazhdojnë konsultimet mes Ministrisë së Arsimit dhe Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, bëri të ditur ministri i Arsimit, Arbër Ademi. Ai nuk e përjashtoi edhe mundësinë për prolongimin e vitit shkollor. Ademi në konferencën për media informoi se po shqyrtohen tre modele: prani fizike, mësim onlajn dhe model të kombinuar. Në MASH mbizotëron qëndrimi për prani fizike të nxënësve, por gjithçka varet nga gjendja epidemiologjike. “Qëndrimi ynë është i qartë, por para së gjithash është i rëndësishëm shëndeti i fëmijëve”, theksoi Ademi. Ai tha se ka mundësi për prani fizike të nxënësve vetëm në ato vende në të cilat këtë e lejon gjendja epidemiologjike.