Integrimi i komunitetit rom në arsim në fokus të panel diskutimit në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive

Në suaza të aktiviteteve të ndërmarra për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, nën organizimin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Drejtorisë për zhvillimin dhe avancimin e arsimit në gjuhët e pjesëtarëve të bashkësive u mbajt panel diskutim kushtuar gjendjes aktuale të arsimit në gjuhën rome dhe projekteve të ndërmarra deri më tani për avancimin e nivelit të integrimit të komunitetit rom në procesin edukativo-arsimor.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Zëvendësministri për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Drejtoresha e Drejtorisë për zhvillimin dhe avancimin e arsimit në gjuhët e pjesëtarëve të bashkësive, Drejtori i Drejtorisë për afirmimin dhe avancimin e kulturës së pjesëtarëve të bashkësive, përfaqësues të organizatave joqeveritare për të drejtat e romëve në vend dhe përfaqësues të shkollave fillore ku zhvillohet mësim në gjuhën rome.

Gjatë diskutimit u potencua nevoja për vazhdimësi progresive të veprimit institucional në përkrahje të komunitetit rom, përforcimi i bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare me qëllim targetimin sa më objektiv dhe efikas të nevojave dhe kërkesave të këtij komuniteti, si dhe vazhdimësia e zbatimit të reformave të inkluzionit të tyre në arsim që do të reflektojë mbi diversitetin si vlerë të domosdoshme shoqërore.

Mes tjerash, u prezantua angazhimi i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në përkrahje të avancimit të statusit shoqëror të romëve dhe të luftës kundër diskriminimit të tyre, duke potencuar në këtë drejtim rëndësinë e miratimit të Strategjisë për përfshirjen e romëve për periudhën 2022-2030 dhe gatishmërinë e plotë për zbatimin e saj.