Iniciativa për shaminë, iniciativë që s’është dashur të humbet kohë!

Shkruan: Fitim Nuhiu

Përplasjet verbale si edhe ato deklarative (prononcuese-denoncuese) të shpeshta publike që po i ndodhin shoqërisë tonë, sidomos në Kosovë, janë për t’u shqetësuar.

Hendeku është i madh dhe i gjerë mes dy ekstremeve do të thoja, të paktën nga qëndrimet e paraqitura në publik, në një anë fetarët (kupto myslimanët praktikantë e të shkolluar, myslimanët që përveç praktikës së tyre fetare në xhami duan që atë praktikë ta jetësojnë edhe në sferën publike gjë që e shoh shumë normale në një shoqëri demokratike) dhe në anën tjerët laikët (ose do t’i quaja të painformuarit, keqkuptuesit e vlerave europiane që nuk e kuptojnë se çfarë nënkupton mendimi dhe veprimi ndryshe, thjesht duke u munduar të bëhen “siç populli në kuptim pezhorativ i thotë – françuza” e po mbeten vetëm karikaturë, një kopje e shëmtuar e laicizmit të egër francez) dhe se kjo gjë nuk do t’i ndihmon dinamikës së një demokracie brenda një shoqërie, porse vetëm hapjes së disa llogoreve dhe ndërtimin e ca mureve që s’duan të jetojnë me njerëzit që kanë mendime ndryshe nga njëri-tjetri, që duan të jetojnë në getot e veta, të kënaqur dhe se kjo gjë do të shpie drejt një segregacioni dhe paragjykimi për “tjetrin” e në pritshmëritë edhe më të këqija mund të përfundojë edhe në përplasje të pashmangshme fizike në vend të “përplasjeve” – mendimeve qytetëruese që ndodhin rëndom përmes debateve dhe përafrimeve të qëndrimeve, ose të paktën të pranimit dhe respektimin të tjetrit, sepse kjo i bie që publikja është vetëm e imja, e jo e ytja, gjë që nuk korrespondon me atë që synojmë të integrohemi, sepse pikërisht diversiteti dhe respektimi i saj e bën një shoqëri përparimtare dhe qytetëruese.

E konstatoj këtë gjë, i nxitur nga një iniciativë kohëve të fundit të një grupimi qytetar për kërkesën e ndryshimin të një udhëzimi administrativ të ministrisë së arsimit për bartjen e shamive në shkolla për nxënëset që kanë vendosur nga liria e tyre që të bartin shamia dhe mendoj se është një e drejtë elementare që duhet merret në konsideratë nga qeveria e Kosovës dhe nuk duhet lënë hapësira për t’i fut grupime të ndryshme qytetare në hasmëri e duke harxhuar kohë për debate shterpe e të krijohen fronte të paqena ‘pro at contra’.
Sidoqoftë, pa dashur t’i futem më tej këtij debati ping-pongu, që vlerësoj se është shumë sipërfaqësor, shqetësimin tim e kam:
Përse krahas këtyre iniciativave nuk kemi edhe iniciativa tjera qytetare, do të thosha më përmbajtësore, p.sh.:

– Iniciativë për cilësinë e arsimit të nxënësve tanë;

– Iniciativë për sjelljen adekuate dhe bashkëkohore të mësimdhënësve karshi nxënësve tanë që puna në terren na thotë të kundërtën;
– Iniciativë për edukimin e të rinjve tanë me vlerat e mirëfillta qytetare e kulturore, po edhe fetare;
– Iniciativë për mbarëvajtjen dhe sinkronizimi i plan-programeve të disa lëndëve mësimore me aktualitetin;
– Iniciativë që në fundvit çdo mësimdhënës të jep llogari për punën e vet (t’i vlerësohen nxënësit e tij nga jashtë – vlerësim esktern dhe kësaj gjëje t’i jepet rëndësi – që nënkupton të merren masa shpërblyese – motivuese ose edhe ndëshkuese – qortuese);
– Iniciativë kundrejt nxënësve me sjellje të papranuara dhe të merren masa rigoroze adekuate kundrejt tyre si edhe prindërve të tyre nëse nuk respektohet rregullorja e shkollës … sepse shkolla, mbi të gjitha, supozohet të jetë institucion edukativo-arsimor … etj… etj…

Kur po i cek këto pika, nuk e kam për qëllim të mobilizohen njerëz e të bëjnë postime fcb apo të flasin duke u krekosur në ndonjë debat televiziv, por të merren iniciativa ligjore qytetare (kërkesa me shkrim karshi institucioneve zbatuese), hapa konkretë dhe të kërkohen me ngulm kërkesa të tilla (ose të ngjashme) të vihen në zbatim duke iu nënshtruar afateve përkatëse për zbatim, gjithashtu të aprovuara nga ministria e arsimit.

Mendoj se këto nisma apo kërkesa qytetare do të bëjnë ato ndryshimet radikale, rrënjësore e thelbësore që kemi nevojë më së shumti, kur tashmë dihen raportet e Pisa-s që po na shpërfaqin sistemin tonë të brishtë arsimor, gjë që edhe vetë e dimë një realitet të tillë dhe fajtor kryesor jemi që të gjithë, duke filluar nga qeveria deri te qytetari.