Ilir Shaqiri vjen me këngë dhe videoklip për Harun Aliun (Video)

Këngëtari i njohur Ilir Shaqiri, i cili i këndon heroizmit të ushtarëve dhe dëshmorëve të UÇK-së, këngën e tij më të re ia ka kushtuar Harun Aliut-Komandant Kushtrimit. Bashkë me këngën, Ilir Shaqir sjell edhe videoklipin e incizuar në Shkup, transmeton Gazeta Lajm. Harun Aliu i njohur si Komandant Kushtrimi, ishte njëri nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Lindi më 20 maj 1971 në fshatin Hasanbeg të Shkupit, dhe u vra më 12 maj 2010 në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit sëbashku me shokët e tij të luftës. Ai u vra nga Forcat e Armatosura Maqedonase, pasi ra në një pritë të organizuar mirë. Vrasja e tij kishte ndodhur gjatë qeverisjes së politikanit kontravers dhe anti-shqiptar Nikolla Gruevskit, i cili e kishte partner kryetarin e partisë demokratike “BDI” Ali Ahmetin. Vrasja e këtij trimi cilësohet si e dyshimtë dhe e montuar. Pas përfundimit të Shkollës fillore në vendlindje, për të mos vazhduar në paralelet e përziera – që ishte model për pengimin e shkollimit shqip, Haruni shkollën e mesme zgjodhi që ta vazhdonte në Damask të Sirisë. Fakultetin e Historisë do ta vazhdonte në Universitetin e Tetovës, që në atë kohë nuk njihej nga shteti i Maqedonisë. Harun Aliu gjithashtu ishte hafëz i Kuranit – Librit të shenjtë të muslimanëve. Në moshën 24 vjeçare, ai iu bashkangjit Lëvizjes Popullore të Kosovës, kurse në vitin 1998, bashkë me shokët e tij, themeloi celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni, për të luftuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut (atëbotë të Maqedonisë). Menjëherë pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje kjo që i dha fund luftës së armatosur për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, më 5 shtator të vitit 2001 Haruni burgoset nga policia ndërkombëtare e Unmikut në Kosovë, me ç’rast dënohet me 4 vjet burg, ku dhe vuajti 3 vjet e 6 muaj, herë pas here në burgun e Prishtinës, e në pjesën më të madhe në burgun famëkeq të Dubravës. Dita kur është liruar Haruni prej burgut të Dubravës, ka qenë edhe dita e parë kur ai e shkeli pragun e shtëpisë së tij që prej vitit 1998. Duke qenë i bindur dhe i shqetësuar se implementimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk shkonte ashtu sipas ujdisë, Harun Aliu së bashku me shokët e idealit – të pakënaqur me avancimin e çështjes shqiptare, në vitin 2006 vendosi të formojë subjektin politik që e quajti, ashtu siç e kërkonte koha, “Alternativa Kombëtare” – AK. Paraqitja e Harunit në skenën politike si duket ishte një shqetësim për qeverinë e atëbotshme maqedonase, madje vetë prania e tij në Maqedoni ishte irrituese për ta, sepse ata si duket e njihnin komandantin më shumë se sa bashkëkombësit e tij, prandaj edhe u vunë në kerkim të ndonjë preteksti për ta larguar prapë nga vendi i vet për të cilin kishte luftuar vite me radhë. Në vitin 2008, emri i tij do të përfshihet në vrasjen e një polici maqedonas të njësisë speciale “Tigrat”, nje montim i radhës për ta dëbuar atë nga vendlindja. Për këte montim të paskrrupullt politik, nga ana e Gjykatës Themelore të Shkupit, Harunit iu shqiptua në mungesë: dënimi kapital, burg i përjetshem. Mirëpo ai prapë nuk dinte të dorëzohej, sepse motoja e tij ishte “o vdekje o liri “. Veprimtaria politike e këtij trimi u ndal më 12 Maj të vitit 2010, kur u vra nga Forcat e Armatosura të Republikës së Maqedonisë së bashku me shokët e tij të idealit. Vrasja e tij u cilësua si e dyshimtë dhe e montuar. Haruni la pas vetes bashkëshorten dhe djalin e tij të vogël Fisnikun. Harun Aliu u varros me nderime të larta ushtarake dhe fetare në varrezat e fshatit të tij të lindjes, në Hasanbeg të Shkupit. Përveç ish-eprorëve të UÇK-së, dyshime për aksionin policor në Radushë kanë shprehur edhe të gjitha partitë politike shqiptare, me përjashtim të BDI-së në pushtet. Sipas tyre, bëhet fjalë për aksione të inskenuara të policisë me qëllim të komprometimit të shqiptarëve, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon.