Iku nga lufta, në Shkup solli në jetë një vajzë! Nëna ukrainase rrëfen vështirësitë që kaloi gjatë rrugës

Kjo është Oskana Gorkovae nga Kievi. Ajo dje u bë nënë për herë të dytë, duke sjellë në jetë një vajzë, për emrin e së cilës ende nuk ka vendosur. Në Maqedoni erdhi kur nisi pushtimi rus në Ukrainë. Kjo sepse bashkëshorti i saj është nga Shën Nikolla. Për TV21 rrëfen vështirësitë për të arritur deri në vendin tonë, pasi udhëtuan për 3 ditë.


“Isha në javën e 39-të kur gjithçka filloi, pra lufta, isha shumë e frikësuar nga të gjitha evakuimet, alarmet se si do ishte më vonë për këtë arsye vendosëm të lëvizim, të vijmë në Maqedoni për të pasur një lindje të mirë që të mos ndikojë tek bebja ose tek unë. Ne erdhëm me veturë dhe na u deshën 3 ditë për të udhëtuar, pra 72 orë ishte e vështirë sepse kishte shumë trafik dhe kontrolle kufitare janë çmenduri”, tregon Gorkova.

Ajo shpreson që situata në Ukrainë të përmirësohet sa më shpejtë të jetë që të mund të kthehen në vendin e tyre.

“Do të na duhet të kthehemi në Ukrainë, patjetër sepse ne lamë gjithçka atje, kemi një punë atje, burri im ka punë atje dhe motra ime vetëm kur situata të jetë më mirë do të ndalojë të gjitha këto veprime ushtarake”, tregon më tej ajo.

Mjekja Kristina Skeparovska na tregoi se foshnja lindi me peshë 3,8 kilogram dhe gjatësi 54 cm dhe është gjendje shumë të mirë edhe përskaj vështirësive që nëna ka kaluar disa ditë para lindjes.

“Pacientja ka ardhur me dhimbje të lindjes në termin të plot. Kishim një lindje të lehtë për fat duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një shtetase të huaj e cila nuk ka kryer të gjitha kontrollet në sistemin tonë dhe sipas definicionit kjo mund të ishte një lindje e rrezikshme. Papritur të ndryshoni vend, shtëpi dhe të vini në institucion ku nuk njihni askënd është stres në vete dhe puna e dytë kemi barrierën e gjuhës”, tha Skeparovska.

Mjekja thotë se nëna ukrainase dhe vajza e saj do të lirohen nga spitali pas kontrollove të rregullta që bëhen zakonisht./TV21