Ibrahimovic flet për një rikthim të mundshëm tek Milan

Zlatan Ibrahmovic në një intervistë për Sky Sport Italia ka konfirmuar së është në bisedime me Milanin për një rikthim të mundshëm tek klubi, në një rol të ri.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, kishte thënë shkurtimisht suedezi kur u pyet rreth mundësisë së rikthimit të tij tek “Rossonerët”.

Përkundër faktit se ai është parë në tribuna në disa ndeshje të Milanit këtë sezon, shpeshherë pranë Gerry Cardinale dhe shefit Giorgio Furlani, ende nuk ka diçka të sigurtë për të ardhmen e tij.

Reprezentuesi suedez u pensionua nga futbolli aktiv në fund të sezonit të kaluar, pasi e pa se nuk kishte mundësi për t’u rikuperuar plotësisht nga një lëndim i rëndë që kishte pësuar në gju.

Mundësia është shumë e madhe që ai të rikthehet tek Milani, por mbetet të shihet se në çfarë pozite, pasi ai duket se nuk është i kënaqur me idenë për të qenë vetëm një ambasador i klubit.

Milani mund t’i japë Ibras një rol si drejtor, veçanërisht pas shkarkimit të legjendës Paolo Maldini dhe dorës së tij të djathtë Frederic Massara.

Ibrahimovic ka regjistruar 163 paraqitje me fanellën e Milanit, ku ka shënuar 93 gola dhe ka bërë 35 asistime.

Ai është shpallur kampion i Serie A me kuqezinjtë në dy sezone. Fillimisht në sezonin 2010/2011 dhe pastaj në sezonin 2021/2022.