“Ai mund të jetë versioni ynë i Sir Alex Ferguson” – Ylli i Barcelonës me fjalë të mëdha për Xavin

Në vitet e fundit, Barcelona ka hasur në vështirësi për të gjetur rehatinë sa i përket pozitës së trajnerit.

Që prej largimit të Ernesto Valverdes në janar të vitit 2020, asnjë trajner nuk ka kaluar më shumë se dy vite në krye të Barcelonës( Quiqe Setien shtatë muaj dhe Ronald Koeman 14 muaj).

Kështu ndodhi deri me ardhjen e Xavit, i cili festoi ndeshjen e 100-të në krye të klubit muajin e kaluar.

Xavi pati një start të suksesshëm si trajner i Barcelonës. Në sezonin e tij të parë të plotë e udhëhoqi Barcelonën drejt triumfit në La Liga dhe në Super Kupën e Spanjës dhe do tentojnë të përsërisin suksesin e njëjtë edhe këtë edicion.

Hierarkia e Barcelonës ka besim të plotë tek Xavi dhe shpresojnë se ai do të mbetet në krye të klubit për një kohë të gjatë.

E këtë dëshirë e ka edhe ylli i Barcelonës, Fermin Lopez, i cili ka thënë se shpreson që Xavi të jetë versioni i Sir Alex Ferguson për blaugranasit.

“Unë shpresojë që Xavi të jetë versioni i Sir Alex Ferguson për Barcelonën. Ai ishte personi i cili më dha mua vetëbesim dhe mundësinë për të jetuar atë që jam duke e jetuar dhe për mua, do të isha i lumtur”, ka thënë Lopez.

Ferguson kaloi 27 vite në krye të Manchester United, duke i shndërruar ata në njërën nga fuqitë më të mëdha të futbollit botëror.

E njëjta tani do të synohet nga Xavi i cili ka para vetes një mision të vështirë, për të rikthyer lavdinë e Barcelonës në Evropë, pasi janë pa trofe që nga viti 2015.