I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor: Premtimi për zgjerimin e BE-së është i vlefshëm

Në intervistë për DW, i dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, paralajmëron për rreziqet që vijnë nëse nuk ka progres në çështjen e zgjerimit. Përfaqësuesi Special i Gjermanisë Manuel Sarrazin Zgjerimi i BE-së drejt lindjes.

Deutsche Welle: Z. Sarrazin, Komisioni i BE-së vendosi në një kohë rekord për statusin kandidat për Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë. Si e komentoni këtë rekomandim në lidhje me Ballkanin Perëndimor?

Manuel Sarrazin: Nga këndvështrimi im, nëse komisioni i BE-së dhe i Këshilli i Bashkimit Evropian i bën të besueshme politikat e zgjerimit, kjo është e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse flet për rëndësinë gjeostrategjike e zgjerimit të BE-së  dhe se procesi i zgjerimit vijon.

Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova mbeten jashtë. Çfarë duhet t’u ofrohet këtyre dy shteteve?

Premtimi për zgjerim i bërë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 vlen ende. Për Bosnjë-Hercegovinën mbeten të plotësohen 14 prioritetet thelbësore dhe të zbatohen reformat, në mënyrë që t’i jepet statusi i kandidatit. Në Kosovë qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres.

Serbia vazhdon të importojë gaz dhe drithë nga Rusia dhe ta dërgojë atë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu në vendet e BE-së. A mos duhet më shumë kondicionim në drejtim të Serbisë?

Ne importojmë vetë gaz. Kështu që duhet pasur kujdes, që t’ia bëjmë të qartë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se presim që ai të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Rusisë, por gjithashtu të mos i japim mundësinë të thotë se po i shuajmë dritat në vendin e tij, sepse edhe ne kujdesemi që vendimet që marrim të jenë ekonomikisht të arsyeshme.

Serbia është në qendër të dezinformatave ruse dhe luftës hibride që po përhapet në të gjithë rajonin. Çfarë sugjeroni si masa për të frenuar këtë ndikim?

Masa më e rëndësishme kundër kësaj është besueshmëria e premtimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Prandaj është kaq e rëndësishme që më në fund t’i korrigjojmë këto gabime që kemi bërë me politikat e zgjerimit, liberalizimin e vizave dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të tregojmë se kur bën progres, Evropa i mban premtimet.

Duket se nuk do të ketë progres as me çeljen e negociatave  me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.  A nuk duhet të ndahen dy kandidatët dhe të fillojnë negociatat me Shqipërinë?

Ju sapo folët për dezinformimin rus. Maqedonia e Veriut do të jetë një objektiv kyç i dezinformatave ruse, por jo vetëm, gjë që për ne mund të jetë krah strategjikisht i hapur ndaj ndikimeve. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme për momentin që më në fund të çelen negociatat me të dyja vendet.

Duke qenë se procesi i zgjerimit po ecën me shumë ngadalë, po zhvendoset gjithnjë e më në plan të parë ideja e bashkëpunimit rajonal të quajtur Ballkani i Hapur. Çfarë mendoni për këtë koncept?

Në thelb, unë jam shumë skeptik për Ballkanin e Hapur. Duhet të jetë e qartë se iniciativat në rajon së pari duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të ofrojnë mundësi reale për t’u përfshirë në to. Dhe nga ana tjetër, është e rëndësishme që të mos hapen struktura paralele. Përveç kësaj, duhet të jetë gjithmonë e qartë se në asnjë mënyrë ato nuk e zëvendësojnë anëtarësimin në BE.