I burgosuri për rastin “Lagja e Trimave”: Po na rrezikohet shëndeti nga greva dhe na shkelen të drejtat

Arsim Bajrami, i dënuar me 13 vite burg për rastin Kumanova, në një prononcim për TV21 njofton se së bashku me 4 shokët e tij, gjegjësisht me Musadik Pajaziti, Irfan Lutfiu, Elham Aridi, Sadvin Abdullahu po vazhdojnë grevën e urisë, përcjell TV21. Bajrami thotë se kanë realizuar takime me autoritetet por që ende nuk gëzojnë të drejtën për fundjavë të lirë. Ai thekson se janë tërësisht të izoluar ndërkaq kërkon ndihmë edhe nga institucionet ndërkombëtare.

“Duam të iu bëjmë me dije se nesër mbushen 7 vite të plota. Jemi në izolim total. Nuk na ofrohet mundësi për risocializim dhe jemi të sigurt se nëse nuk na ndihmon zëri i popullit dhe përfaqësues nga bashkësia ndërkombëtare të akredituar në vend, neve do të vazhdohen të na shkelen të gjitha të drejtat, do të na rrezikohet edhe shëndeti”, thotë mes tjerash Bajrami i cili thekson se kërkesa e tyre është e qartë, gjegjësisht kërkojnë vikende të lira.