Guardiola e konfirmon lëndimin e Dias: Ndaj Wolves një finale, kemi vetëm tre mbrojtës në dispozicion

Pep Guardiola ka dhënë komentet e tij pas fitores ndaj Newcastle United.

Skuadra e Pep Guardiola mori një fitore 5:0 përballë Newcastle United, për të shkuar në tri pikë diferencë në pozitën e parë, para Liverpool.

Pas ndeshjes, Guardiola ka konfirmuar lëndimin e Ruben Dias dhe ka thënë se ndeshja ndaj Wolves do të jetë sikur një finale për ta.

“Problem muskulor, e pamë se çfarë ndodhi. Ne kemi 13 lojtarë e gjysmë, Nathan AKe nuk është në kushte perfekte. Nuk kemi qendërmbrojtësa”, ka thënë Guardiola, transmeton lajmi.net.

“Me atë që i ndodhi mbrëmë Liverpool dhe këtë që ndodhi sonte, ndaj Wolves do të jetë një finale. Kemi fatin tonë në duar, ndonëse mediat dhe të gjithë në Angli janë për Liverpool. Liverpool është skuadër e madhe në garat evropiane, por jo në Premier League, sepse kanë fituar vetëm një titull në 30 vitet e fundit”, shtoi spanjolli.

Manchester City ka tri pikë më shumë sesa Liverpool, kur kanë mbetur edhe tri xhiro në Premier League. Shtatë pikë të fituara në tri ndeshje do ta shpallnin Cityn skuadër kampione në Angli.