Hyrje në vend vetëm me test negativ apo karantinë të detyrueshme

Ministria e Punëve të Brendshme sot kumtoi se gjatë hyrjes së qytetarëve tanë në vend, si dhe të huajve, por vetëm me qëndrim të rregullt në shtet, është e detyrueshme në vendkalime kufitare të tregohet testi PSR valid, jo më i vjetër se 72 orë, negativ.

Më pas në vendkalimin kufitar personat do të duhet të nënshkruajnë “Deklaratë për vetëizolim të detyruar në kohëzgjatje prej 14 ditëve”. Në bazë të deklaratës së nënshkruar, nga ana e përfaqësuesve të autorizuar nga Inspektorati sanitar dhe shëndetësor shtetëror u përgatitet Vendim për mbikëqyrje shëndetësore dhe vetëizolim shtëpiak.

“Ndërkaq, ata qytetarë tanë apo të huaj me qëndrim të rregullt në vend, të cilët gjatë hyrjes në territorin e shtetit nuk do të tregojnë test PCR valid apo do të tregojnë test PCR jovalid, nga vendkalimi kufitar, me transport të organizuar nga Qeveria apo me transport të vetin, me shoqërues nga ana e pjesëtarëve të MPB-së do të dërgohen në karantinë shtetërore”, thuhet në kumtesë.

Gjatë ditës organizohet transport nga vendkalimi kufitar deri në karantinën shtetërore, dy herë, dhe atë në orën 11:00 dhe në orën 20:00. Qytetarët do të mbeten n[ë karantinë shtetërore 14 ditë.

Nëse qytetarët dëshirojnë t’u bëhet testi PCR, me kërkesë të tyren u mundësohet nga ana e institucionit të autorizuar në afat sa më të shkurtë t’u bëhet testi PCR. Ata qytetarë, të cilëve testi i bërë PCR u del negativ, nënshkruajnë “Deklaratë për vetëizolim të detyruar në kohëzgjatje prej 14 ditëve” ku janë të llogaritura edhe ditët e kaluara në karantinë shtetërore, dhe e braktisin karantinën dhe largohen për në vetëizolim të detyruar në adresën e cekur në deklaratën e dhënë.

Nga MPB informojnë se nëse qytetarët nuk dëshirojnë t’u bëhet testi PCR, mbeten në karantinë 14 ditë, ndërsa pas atij afati nga ana e përfaqësuesve të autorizuar nga ISHSSH u përgatitet Vendim për mbikëqyrje shëndetësore dhe vetëizolim shtëpiak.