Hoti i dërgon telegram ngushëllimi familjes së gazetarit Bedri Sadiku

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen e gazetarit tashmë të ndjerë Bedri Sadiku, përcjell “Zeri.info”.

Hoti theksoi se puna dhe angazhimi i Sadikut në gazetën “Rilindja” në Prishtinë ka qenë kontribut i çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Puna dhe angazhimi i tij në gazetën ‘Rilindja’ në Prishtinë gjatë viteve të ’80-ta dhe pastaj gjatë viteve të ’90-ta në Tiranë dhe Shkup ishte kontribut i çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe çështjen kombëtare shqiptare”, thuhet në telegramin e Hotit.

Telegrami i plotë:

E nderuara familje Sadiku,

I nderuar komunitet i gazetarëve,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit Bedri Sadiku, i cili me punën e tij të palodhshme për dekada me radhë njoftoi opinionin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve.

Puna dhe angazhimi i tij në gazetën “Rilindja” në Prishtinë gjatë viteve të ’80-ta dhe pastaj gjatë viteve të ’90-ta në Tiranë dhe Shkup ishte kontribut i çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe çështjen kombëtare shqiptare.

Ikja në amshim e doajenit të gazetarisë kosovare Bedri Sadiku është humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

E nderuara familje Sadiku dhe gjithë komuniteti i gazetarëve, pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta!