Hoteli më ikonik në Dubai, Burj Al Arab, mbyllet për 18 muaj

Hoteli luksoz Burj Al Arab në Dubai, një nga monumentet më të famshme të qytetit dhe simbol i turizmit në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të mbyllet për një periudhë 18-mujore për shkak të rinovimeve.

Lajmi u konfirmua sot, nga një anëtar i stafit të hotelit.

Ky është rinovimi i parë që nga hapja e hotelit në vitin 1999 dhe do të kryhet nën mbikëqyrjen e dizajnerit të njohur të brendshëm Tristan Auer.

Kompania që zotëron hotelin, Jumeirah Group, deklaroi se puna do të zhvillohet në faza, por nuk specifikoi nëse hoteli do të qëndrojë i mbyllur gjatë gjithë periudhës së rinovimit.

Një anëtar i stafit sqaroi se hoteli po ofron akomodime alternative në pronat aty pranë për mysafirët që kanë rezervime, duke shtuar se kohëzgjatja e mbylljes mund të ndryshojë.

Ai theksoi gjithashtu se puna e shumëpritur nuk lidhet me incidentin e marsit, kur mbeturinat nga përgjimi i një droni iranian goditën fasadën e hotelit.

Në deklaratën e saj, Jumeirah nuk e lidhi rinovimin me konfliktin rajonal, megjithatë koha e ndërhyrjes përkon me një periudhë të vështirë për turizmin në Dubai.

Lufta e vazhdueshme mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka ndikuar ndjeshëm në udhëtimet drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, me ndërprerje fluturimesh dhe rënie të kërkesës për mallra luksoze.

Burj Al Arab, i njohur si “hoteli më i luksit në botë”, mbetet njësia kryesore e grupit Jumeirah dhe një ikonë e arkitekturës moderne. Rinovimi pritet të sjellë një përditësim të plotë të brendshëm, duke ruajtur statusin e tij si një destinacion unik për vizitorët ndërkombëtarë.

/rtsh.al/