Historia e “Lupin” kthehet në realitet, stafi i serialit bie pre e një vjedhje prej 300 mijë eurosh gjatë xhirimeve në Paris

Një bandë hajdutësh të maskuar kanë vjedhur pajisje me vlerë 300,000 euro nga xhirimet e serialit “Lupin” në Francë, sipas raportimeve.

Rreth 20 persona hynë në shesh-xhirim, pasi hodhën fishekzjarre dhe mjete të tjera piroteknike ndërsa aktori Omar Sy, i cili luan rolin kryesor, po performonte në një skenë, thuhet sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Grabitja ndodhi në një lagje në Nanterre, në periferi të Parisit, më 25 shkurt. Pas një pauze të shkurtër, xhirimet për sezonin e tretë të serialit rifilluan të hënën, raportoi Variety.

Foto: Netflix

Netflix i tha faqes së internetit se kishte pasur “një incident” gjatë xhirimeve të “Lupin”, duke shtuar: “Aktorët dhe ekipi ynë janë të sigurt dhe nuk ka pasur lëndime”. Autoritetet po hetojnë ngjarjen, shkruan The Guardian.

Sy luan rolin e Assane Diop, një personazh i frymëzuar nga hajduti famëkeq zotëri dhe mjeshtri i maskimit Arsene Lupin. Seriali i prodhuar nga studioja franceze “Gaumont”, është seriali i dytë më i madh ndërkombëtar i platformës Netflix pas “Squid Game”.

Vetëm pak orë pas grabitjes, Sy ishte në skenë për mbrëmjen e çmimeve Cesar në Paris për të festuar 10-vjetorin e komedisë “Intouchables”, e cila në vitin 2012 i dha atij çmimin Cesar për “aktorin më të mirë”.

Foto: Netflix

Muajin e kaluar rekuizita me vlerë 150,000 funte u vodhën nga xhirimet e një seriali tjetër të Netflix, “The Crown”.

Një zëdhënës tha pas atij incidenti: “Mund të konfirmojmë se gjërat antike janë vjedhur dhe shpresojmë që ato të gjenden dhe të kthehen të sigurta. Zëvendësimet do të merren me burim; Nuk ka asnjë pritshmëri që xhirimet do të shtyhen”.

Në tetor të vitit të kaluar, një hajdut që imitonte stilin e protagonistit në Lupin grabiti lokalin e një orëtarie në veri të Italisë. 21-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, kishte veshur një xhaketë lëkure të ngjashme me atë që kishte veshur Diop.

Ai i tha policisë se kishte studiuar nga afër teknikat e Diop në përgatitje për grabitjen. Pasi hyri në lokalin në Monza, burri vodhi rreth 21 euro, megjithatë, ai ka pësuar lëndime në krah nga përplasja me derën e xhamit dhe pasi është kthyer në shtëpi ka thirrur për ndihmë.

Sipas raportimeve në shtypin italian, burri sajoi fillimisht një histori se ishte sulmuar dhe grabitur nga tre persona. Por më pas ai shpërtheu në lot para policisë, pranoi fajin dhe tha se ishte frymëzuar nga seriali “Lupin”.