Hill: Asociacioni mund të formohet deri në fund të vitit sipas Marrëveshjes së Brukselit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, dhe se dizajni i saktë i tij duhet të përcaktohet nga të dyja palët gjatë negociatave.

“Asociacioni ka qenë pjesë e dialogut që nga viti 2013, dhe duhet të formohet në mënyrë që komuniteti serb, kryesisht në Mitrovicën e Veriut, ta shohë se si do të jetë e ardhmja e tij. Mendoj se ata aktualisht po shikojnë shumë modele që janë në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë Hill për televizionin serb “Pink”.

I pyetur se cili është afati për formimin e asociacionit, nëse është periudha para ose pas zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës, Hill tha se “nuk mund të flitet për afate kaq të shkurtra” dhe shtoi se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, “foli për disa afate afatgjata dhe se gjithçka mund të përfundojë deri në fund të vitit 2023”.

“Por mendoj se duhet të përpiqemi të ecim shpejt, për të garantuar që të respektohen interesat e komunitetit serb në Kosovë”, tha diplomati amerikan, shkruan Nova, transmeton Klankosova.tv.

I pyetur se si e sheh marrëveshjen e 18 marsit në Ohër, Hill tha se gjërat po shkojnë në rrugën e duhur.

“Mendoj se kanë bërë përparim. Do të doja të shihja disa gjëra më konkrete, por mendoj se po ecim shumë qartë drejt zbatimit të këtij procesi të dialogut. Duhet ende shumë për të bërë, veçanërisht në artikulimin se si do të duket asociacioni, kjo është një çështje kyçe”, shtoi ai.

Ambasadori amerikan në Beograd tha se po bisedohet për organizimin e një takimi të ri mes Vuçiqit dhe Kurtit së shpejti dhe shtoi se do të jetë një mundësi “për të sqaruar disa gjëra”.

Me rastin e marrëveshjes në Ohër, me të cilën Aneksi Zbatues i Marrëveshjes u bë pjesë detyruese e rrugës evropiane të të dyja palëve, Hill tha se Serbia duhet ta ngrejë çështjen e Kosovës “në kontekstin e aspiratave të saj për hyrje më të shpejtë në BE”. /Klankosova.tv