Herrera e pranon se s’e kishte dashur largimin nga Unitedi

Ander Herrera e ka zbuluar se ai s’e kishte dashur largimin nga Manchester Unitedi, mirëpo e ka pranuar që është e zakonshme që pikëpamjet e një lojtari të mos përkojnë me vizionin e një klubi.

Ander Herrera shijoi triumfe në FA Cup, Carabao Cup dhe Ligë të Evropës me Manchester Unitedin, mirëpo qëndrimi i tij pesëvjeçar në Manchester United nuk i solli suksese në Premierligë.

Suksese në ligën vendore mesfushori spanjoll ka përjetuar menjëherë në klubin e tij të ri, Paris Saint-Germainin, me të cilin këtë sezon u shpall kampion i Francës para kohe, shkaku i anulimit të sezonit për shkak të koronavirusit.

Në një intervistë të fundit, Herrera tha se kjo nuk është mënyra ideale për fituar titullin e parë të ligës në karrierë, ndërsa zbuloi detaje edhe nga largimi i tij nga Old Trafford.

“Kur unë kthehem të shikoj se çfarë ndodhi para një viti, qëllimi im nuk ishte të largohesha nga Manchester Unitedi”, ka thënë Herrera.

30-vjeçari më tutje vazhdoi duke thënë se nuk është e pazakonshme që pikëpamjet e një futbollisti të mos jenë të njëjta me vizionin e një klubi.

“Unë nuk u pajtova me disa nga vendimet që u morën, por kjo gjë ndodh në futboll. Ndodh në çdo kompani”, përfundoi spanjolli.