Helikopteri i KFOR-it patrullon mbi veri gjysmë ore pas fluturimit të aeroplanëve serbë

Sipas raportimeve, nje helikopter i KFOR-it ka nisur patrullimin në pjesën kufitare, gati gjysmë ore pasi që andej kanë kaluar aeroplanët serbë, shkruan lajmi.net.

Kujtojmë se është e treta ditë me radhë që Serbia po i dërgon në formë provokative fluturaket e veta në kufi me Kosovën.

Në lidhje me këtë çështje ka folur dje edhe vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky i fundit ka thënë se sjellje të tilla nuk e çudisin, pasi që nga Beogradi nuk ka pritur veprime korrekte.

Mos harroni që në ditën e gjashtë të reciprocitetit, deri tash 9 mijë automjete i kanë marrë targat e përkohshme. 9 mijë automjete nuk kanë pasur problem me reciprocitetin. Por, presidenti i Serbisë nuk po e pëlqen këtë nga kolltuku i tij politik. Sigurisht që janë parë fluturaket, helikopterët. Ne nuk kemi pritur nga Serbia sjellje korrekte sepse i kemi njohur. Ne vendimet i marrim në bazë të vlerësimeve të sigurisë. Sjellja jonë është profesionale dhe korrekte”, tha ai.