Hekurudhat në kolaps: vetëm 9 lokomotiva funksionale, 109 milionë euro humbje!

Gjendje alarmante në Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut – Transport! Nga gjithsej 62 lokomotiva, vetëm nëntë janë funksionale, ndërsa humbjet e akumuluara të ndërmarrjes kanë arritur në rreth 109 milionë euro.

Këto të dhëna dalin nga raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2024, i cili zbulon mangësi serioze në menaxhimin e mjeteve financiare, pronës dhe parkut hekurudhor.

Sipas revizorëve, nga 16 garnitura të trenave të udhëtarëve funksionojnë vetëm pesë, ndërsa nga 47 vagonë pasagjerësh, vetëm dy përdoren rregullisht.

Situata është edhe më shqetësuese në transportin e mallrave. Nga 1.382 vagonë transportues, vetëm 378 janë të aftë për qarkullim, ndërsa 1.004 të tjerë janë jashtë përdorimit për shkak të kontrolleve teknike të skaduara.

Raporti evidenton edhe parregullsi në regjistrimin e pasurisë, menaxhimin e rezervave dhe kontrollin e karburanteve. Punëtori të rindërtuara në vlerë prej 1,9 milionë eurosh nuk ishin regjistruar si pasuri e paluajtshme në librat kontabël.

Ndërkohë, ndërmarrja nuk kishte rezervuar mjete as për detyrimet nga proceset gjyqësore, që arrijnë rreth 4,24 milionë euro.

Vetëm gjatë vitit 2024, humbja financiare arriti në rreth 5,4 milionë euro, ndërsa bashkë me humbjet e viteve të mëparshme, shuma e përgjithshme u ngjit në 109 milionë euro.

Enti Shtetëror i Revizionit ka kërkuar masa për tejkalimin e dobësive të konstatuara, ndërsa ndërmarrja ka dorëzuar informacione mbi veprimet e ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve.