Haradinaj: Ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e Kurtit?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para deputetëve në Kuvend tha se në Kosovë nuk po diskutohet se ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e Kurtit.

Ai u shpreh se po devijohet ajo që, siç u shpreh ai, po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij.

“Ajo që ne nuk po e flasim në Kosovë, është ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, pra po e devijojmë atë që sot po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti, nga Qeveria Kurti”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu tha se Kurti në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim në aletatët e Kosovës, e siç u shpreh ai, veçanërisht në ata të sigurisë.

“Mosbesim deri në pabesi, jo befasi, por mosbesim deri në pabesi. Kryeministri Kurti, i sotmi, po dikur udhëheqës i Vetëvendosjes, ka ngjallë, ka krijuar, ka mbjellë mosbesim të brendshëm. Pra, gjithmonë e ka ushqyer një mosbesim në çdo proces, në çdo institucion, në çdo palë dhe është rritë me këtë mosbesim. Në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim në aletatët e Kosovës, veçanërisht në ata të sigurisë dhe në garantin tonë kryesor të sigurisë, që është Amerika”, tha tutje ai.