Hamasi nuk e di sesa pengje janë ende gjallë në Gaza

Zëdhënësi i Hamasit dhe anëtari i Byrosë Politike, Osama Hamdan tha se “askush nuk e ka idenë” se sa të burgosur që mbahen në Gaza janë ende gjallë, në një intervistë të gjatë me CNN.

I pyetur nëse Hamasi i vinte keq për kryerjen e sulmeve në jug të Izraelit më 7 tetor, duke pasur parasysh gjithçka që pasoi, Hamdan e justifikoi sulmin si një “reagim kundër okupimit”.

“Ai që është përgjegjës për këtë është pushtimi izraelit. Nëse i rezistoni okupimit, ata do t’ju vrasin, nëse nuk i rezistuat okupimit, do t’ju vrasin dhe do t’ju dëbojnë nga vendi juaj. Pra, çfarë ne duhet të bëjmë, vetëm të presim?”, përgjigjet Hamdani.

Hamdan theksoi gjithashtu se SHBA-ja duhet ta bind qeverinë izraelite se një ndërprerje e përhershme e armiqësive është çelësi i suksesit të bisedimeve të paqes.

“Izraelitët duan një armëpushim vetëm për gjashtë javë dhe më pas duan të kthehen në luftë, gjë që nuk mendoj se amerikanët ende i kanë bindur izraelitët të pranojnë një armëpushim të përhershëm”, tha ai.

Nga ana tjetër, Netanyahu është nën presion në rritje për të arritur një marrëveshje që do të siguronte kthimin e pengjeve të mbetura ende në Gaza. Izraeli beson se më shumë se 70 pengje – nga më shumë se 100 që mbahen ende në Gaza – janë gjallë.

Duke folur për CNN, Hamdan tha se nuk e dinte se sa ishin ende gjallë.

“Nuk kam asnjë ide për këtë. Askush nuk e ka idenë për këtë”, tha ai, duke vënë në dukje se një “operacion izraelit për të liruar” katër pengjet të shtunën rezultoi në vdekjen e tre të tjerëve, duke përfshirë një shtetas amerikan.

Dyshohet se mund të ketë më shumë pengje të vdekur nga sa dihet publikisht.

Në muajin prill, Hamasi u tha ndërmjetësuesve ndërkombëtarë se nuk ishte në gjendje të përmbushte kërkesën e Izraelit për të liruar 40 pengjet e mbetura në fazën e parë të marrëveshjes, duke përfshirë të gjitha gratë, si dhe burrat e sëmurë dhe të moshuar, sepse nuk kishte 40 pengje të gjallë sipas kritereve për lirim.